970×90
970×90
970×90

Tregimi për “banditin” Pancho Villa që kishte refuzuar të bëhet president

Tregimi për “banditin” Pancho Villa që kishte refuzuar të bëhet president

Prof. Dr. Zejnullah Gruda

1. Historia e Meksikës ka disa emra emblematikë jo vetëm për popullin e Meksikës, por edhe për mbarë njerëzimin. Të këtillë janë Montezuma II, në kohën e të cilit mbretëria e Actekëve kishte arritur kulmin, por edhe ishte shkatërruar nga pushtuesit spanjollë të udhëhequr nga Kortesi; klerikët Miguel Hidalgo dhe Jose Morelos, të cilët njihen për angazhimin e tyre për kthimin e tokës fshatarëve dhe shpalljen e pavarësisë së Meksikës; Benito Juarez (Huarez), presidenti i parë i Meksikës nga radha e indiosëve, që kishte udhëhequr shtetin në një kohë shumë kritike të historisë së tij; Pancho Villa dhe Emiliano Zapata, që ishin vënë në krye të çetave të fshatarëve të varfër, pas vrasjes së presidentit konstitucional të Meksikës Francisko Madero; dhe presidenti Lazaro Cardenas (Kardenas) që njihet për angazhimin e tij të vendosur: për zbatimin e reformës agrare; për nacionalizimin e hekurudhave dhe ndërmarrjeve të industrisë së naftës që ishin në pronësi të kompanive të huaja (1937 – 1938); për gjykimin e aksioneve pushtuese të Italisë dhe Gjermanisë në prag të Luftës së Dytë Botërore; dhe për përkrahjen forcave republikane në Luftën Civile në Spanjë.

Shumica nga këto personalitete janë vrarë për shkak të angazhimit të tyre në favor të masave të gjëra të popullit, për barazi dhe drejtësi sociale dhe për liri, siç është rasti me klerikët Miguel Hidalgo dhe Jose Morelos dhe dy simbolet e peonëve të shtypur dhe tribunët më të mëdhenj të Meksikës – Emiliano Zapata dhe Pancho Villa. Emiliano Zapata kishte vetëm 35 vjet kur u vra në vitin 1919 me pabesi nga një oficer konstitucionalist, që ishte paraqitur si dezertor, i shtyrë nga premtimi i shpërblimit, që Qeveria kishte premtuar për kokën e Zapatës. Të njëjtin fat e kishte pasur edhe Pancho Villa që ishte vrarë pabesisht më 20 korrik 1923 kur kishte vetëm 46 vjet, vrasje që kishte pikëlluar madje edhe ata që e kishin urryer gjatë jetës.

Megjithëse, Pancho Villa dhe Emeliano Zapata janë vrarë të ri, rëndësia dhe fama e tyre jo vetëm që nuk është zbeh me kalimin e kohës, por përkundrazi vazhdon për të ndikojë edhe sot. Këta kanë vazhduar të evoluojnë e të shndërrohen në figura mitike, kurse kujtimi për ta të nderohet jo vetëm në Meksikë, por edhe në mbarë botën. Për këtë arsye shumë rrugë në Meksikë dhe në fqinjësi të Meksikës mbajnë emrin e Pancho Villës sikurse që vazhdojnë të këndohen balada për të.

Kjo vlen edhe për bashkohanikun dhe shokun e Villës për nga idealet, Emiliano Zapata, i cili ka luftuar për të drejtat e fshatarëve të varfër, qysh para shpërthimit të revolucionit meksikan dhe është angazhuar për reformë agrare, ka përshëndetur me shpresa Revolucionin e Tetorit dhe ka qenë idol i miliona peonëve dhe simbol i kryengritjes antifeudale.

Për këtë arsye rekomandohet që kur përmendet Pancho Villa duhet pasur parasysh se në Meksikë e edhe në shumë vende të Amerikës Latine Pancho Villa s’është bandit dhe vagabond qysh më së shpeshti është portretizuar, por sinonim i luftëtarit për të drejtat e vegjëlisë, para së gjithash të fshatarësisë së varfër dhe për barazi sociale. Kjo vlen edhe për prijësin e kryengritjes fshatare në shtetin Morelos  Emiliano Sapata (Zapata), prandaj përpjekja për përbaltjen e tyre, megjithëse e kuptueshme nga prizmi i klasave eksploatuese dhe shtypëse, është fyes jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë njerëzit liridashës.

2. Pancho Villa më së shpeshti është përshkruar si një vagabond, vrasës, plaçkitës, aventuristë, kokëkrisur, i çartur, i marrë ose si një Robin Hud i ri, i mençur, i zgjuar, i aftë, i shkathtë, dhe si hero legjendar dhe tribun i popullit të Meksikës. Për këtë arsye, në disa shkrime këshillohen të huajt, që kur flasin për Villën, specialisht me nortenjos (Meksikanët e veriut të vendit), të mos gabojnë ta nënvlerësojnë respektin që ai gëzon akoma në Meksikë.

Këto cilësime që përmbajnë mjaft të vërteta janë të pashmangshme kur të kihen parasysh faktet që lidhen me lindjen dhe rininë e hershme të tij, por edhe me, më se dy dekada të jetës së tij shumë të bujshme. Pancho Villa ka lindur në San Huan del Rio, të shtetit Durango më 1877, si fëmijë i jashtëligjshëm i një pronari të madh të tokës (Jessus Villa). Emri i tij i vërtetë ishte Doroteo Arango, kurse emrin Pancho Villa e kishte marrë, sipas një rebeli të njohur të kohës, pasi ishte gjind jashtë ligjit, për shkak të vrasjes së një pasaniku, i cili ia kishte dhunuar motrën 12-vjeçare. Pra, Pancho Villa u gjind jashtë ligjit si 16-vjeçar për shkak të vrasjes në mbrojtje të nderit të motrës së vet. Ata që janë marrë me jetën e tij tregonin se ai nuk ka pirë alkool deri në vitet e fundit të jetës së tij, por ua lejonte këtë njerëzve të tij. Gjatë festave vallëzonte me femra tërë natën në kampet e përkrahësve të tij. Njëra nga gratë e fundit që e ka mbijetuar kishte treguar se ai është martuar zyrtarisht 26 herë.

Ky person, ndryshe nga ç’mund të pritej, do të hyjë në histori kur si shef i bandës së hajnave të bagëtisë, që ishte në kohën kur ka filluar rebelimi në Meksikë më 1910, do t’i bashkohet çështjes maderiste, e cila synonte t’i japë fund diktaturës së egër të gjeneralit Porfirio Diaz, i cili kishte sunduar Meksikën për 33 vjet. Grupi i Pancho Villës do të bëhet shumë shpejt i famshëm, sepse fenomeni i banditizmit që normalisht gjykohet çdo kund, në Meksikën e asaj kohe konsiderohej si shprehje e rebelimit kundër padrejtësive.

Sipas thashethemeve të përhapura, Pancho Villa konsiderohej (portretohej) si dhunues i femrave. Por, në lidhje me këtë Pancho Villa i kishte deklaruar gazetarit të famshëm John Reed (Xhon Rid), që kishte shkruar një libër për ngjarjet dhe personalitetet më të rëndësishme të Meksikës të atëhershme Pancho Villa, Emiliano Zapata, Francisco Madero, Venustiano Carranza, Victoriano Huerta, Alvaro Obregon etj., me titull “Meksika e rebeluar” (Insurgent Mexico), më pastaj edhe librin e famshëm kushtuar Revolucionit të Tetorit “Dhjetë ditë që tronditën botën”: “Kur nuk përpiqem fort t’i mohoj tregimet e tilla” dhe kishte vazhduar: “Thonë se jam bandit, gjithashtu. Pra, ju e njihni jetën time. E pra, më thuaj: a ke takuar burrin, prindin ose vëllanë e ndonjë gruaje që kam dhunuar?” … “Ose madje ndonjë dëshmitar?”.

3. Revolucioni meksikan, si edhe shumica e revolucioneve [Revolucioni Rus (i Tetorit), Revolucioni Kinez, Revolucioni Kuban] ka buruar nga padrejtësitë që i goditnin pjesët më të mëdha të popullit të Meksikës, por edhe popujt e tjerë të Amerikës Latine. Kjo gjendje e rëndë e popujve të atjeshëm kishte filluar me ardhjen e evropianëve, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për gjenocidin mbi indianë, që është gjenocidi më i madh në histori, me ç’rast popullsia autoktone bëhet objekt likuidimesh masive, persekutimesh dhe skllavërimi, e më pastaj edhe mjerimi ekstrem bashkë me melezët (popullsia e përzier) dhe zezakët, që ishin sjellë në kontinentin Amerikan si skllav. Të gjithë këta fatzi ishin, e edhe sot janë shpesh, viktima të reaksionit të brendshëm, që e përbëjnë latifondistët (pronarët e mëdhenj të tokës), kleri katolik dhe garniturat reaksionare ushtarake, të cilat mbahen me ndihmën e forcave të jashtme imperialiste.

Ata që kanë studiuar sadopak historinë e Amerikës Latine e dinë se padrejtësitë e mëdha në Meksikë (dhe tërë Amerikën Latine) burojnë nga fakti, se vetëm disa dhjetëra pronarë të mëdhenj të tokës, të lidhur ngushtë me njerëzit në pozita të larta, kishin përvetësuar me dhjetëra miliona hektar tokë, kurse në anën tjetër ishin me miliona peon (fshatarë të varfër) dhe të patokë që punonin me meditje e që jetonin në koliba të bëra nga balta, druri ose shkurret. Nga këta latifondistë, vetëm tetë pronarë mbanin 22,5 milionë hektarë tokë. Në prag të revolucionit në Meksikë, disa mijëra latifondistë mbanin 97 % të tokës, kurse 400 mijë pronarë të vegjël ndanin pjesën tjetër prej 3 %. Në të njëjtën kohë më shumë se 12 milionë fshatarë ishin pa tokë.

Kjo gjendje që mbretëronte në Meksikë u ngjasonte vendeve të tjera të Amerikës Latine, ku tokat në pronë të latifondistëve gati pa asnjë përjashtim kapnin më shumë se gjysmën e tokës së shteteve përkatëse, e madje diku, si në Paraguai, latifondistët mbanin 93,8 % të tokës; në Çile 73,2 %, e në Argjentinë 74,8 %.

Gjendjes së vështirë të popullsisë së varfër të Meksikës i kishte kontribuar edhe kisha katolike, që edhe vetë ishte pronare e madhe e tokës (në Meksikë ajo mbante më së gjysmën e tokës së punueshme para Revolucionit) me doktrinat e veta për shpërblimet dhe parajsën që i pret të durueshmit ose ndëshkimin dhe ferrin që i pret ata që rebelohen, doktrina të cilat duhej t’i kontribuonin qëndrueshmërisë dhe ruajtjes së rendit sundues.

Grupin e tretë e përbënin strukturat ushtarake që më së shpeshti ndikonin e shpesh edhe diktonin rrjedhat e jetës politike, të cilat më shumë se ta mbronin shtetin nga armiqtë e jashtëm, e mbronin sistemin latifondist dhe konservativ të shoqërisë dhe kompanitë dhe korporatat imperialiste që eksploatonin në mënyrë të pamëshirshme popujt dhe vendet e Amerikës Latine.

Në këto kushte rebelimi i peonëve pa tokë shumë shpejt është shndërruar në revolucionin meksikan, kurse Pancho Villa dhe Emiliano Zapata dhe “maderizmi” e “zapatizmi” në personalitete dhe lëvizjet më të famshme jo vetëm të Meksikës, por edhe të Amerikës Latine dhe tërë Botës.

4. Pancho Villa ka filluar të bëhet i njohur tek ne në fillim të viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Atëherë në kinematë e Jugosllavisë, e edhe të Kosovës, shfaqej filmi “Një ditë jetë”, që bënte fjalë për revolucionin në Meksikë. Filmi kishte nxitur aso interesimi te publiku saqë në çdo vend shfaqej me ditë nga disa herë. Kur përfundonte filmi njerëzit dilnin duke qarë dhe fshirë lotët. Në atë film protagonisti kryesor, një oficer i forcave konstitucionaliste (maderistëve) që luftonin kundër huntës ushtarake, të cilin e kishin kapur, para se ta ekzekutonin, e kishin pyetur a ka ndonjë dëshirë të fundit? Ai ishte përgjigjur se ditën që do ta ekzekutonin e ka ditëlindjen nëna e tij dhe se kishte dashur të shkojë t’ia urojë ditëlindjen. Autoritetet ushtarake e kishin lejuar dhe ky kishte shkuar në agim te shtëpia e nënës së tij me disa shokë. Këta e kishin zgjuar të ëmën e tij, plakën Juanita, me një këngë që edhe sot është një ndër këngët më të popullarizuara në Meksikë – Las manjanitas (Yjet e mëngjesit). Gruaja – nëna e oficerit të dënuar, nëna Huanita (mama Juanita), ftohej me këngë të ngrihet se kanë ardhur t’ia urojnë ditëlindjen. Oficeri i ri, që ishte dënuar me vdekje, nga e cila e ndanin shumë pak kohë dhe shokët e tij këndonin, sikur mos të ishte kjo hera e fundit që e uronte nënën për ditëlindje dhe lamtumira e fundit. Kjo këngë ishte bërë shumë e popullarizuar edhe te ne.

Related posts