970×90
970×90
970×90

Ali Ahmeti shpallet “Qytetar Nderi” i Tiranës, Rama: Falë tij, shqiptarët në RMV po jetojnë ditët më të mira

Ali Ahmeti shpallet “Qytetar Nderi” i Tiranës, Rama: Falë tij, shqiptarët në RMV po jetojnë ditët më të mira

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e vlerësoi sot Ali Ahmetin si mjeshtrin më të madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin kombëtar.

Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e nderimit të Ali Ahmetit me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës”, ku u shpreh se ai është “një shqiptar ndër më të mirët, një luftëtar që politikën e diplomacinë e ka kthyer në një mjeshtëri të admirueshme”.

“Një udhëheqës që i ka bërë vend të veçantë vetes në historinë e shqiptarëve dhe në zemrat e në mendjet e të gjithëve, përfshirë edhe mendjet e kundërshtarëve e armiqve të tij”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, “është ende herët për t’u shkruar historia e këtij shqiptari, ndër më të mirët”.

“Por nuk është aspak herët të thuhet se ndër shqiptarët e kësaj kohe ndryshimesh epokale për kombin tonë ndër të cilat shkëlqen edhe ndryshimi rrënjësor i pozicionit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti është mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin tonë kombëtar”, tha ai.

Kryeministri vlerësoi se pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti.

“Dhe as nuk do të kishin sot një pluralizëm demokratik aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare, sa që t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet, duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, tha ai.

“Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe shqiptarëve të cilëve u them vetëm, të shohin interesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.

“Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë, sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe shqiptarëve, të cilëve u them vetëm të shohin interesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Maqedonia e Veriut sot është edhe më shumë se kurrë e tyrja, krah për krah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas dhe me të gjitha minoritetet që jetojnë në atë Republikë”.

“Ta mbrojnë Republikën e tyre ashtu si dhe pozicionin e tyre si shqiptarë nga ndikimet e jashtme, të cilat synojnë gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe mirëqenien e shtetit, asgjë më të mirë se sa ata kanë arritur, por përkundrazi mund t’u shkaktojnë atyre dëme mbi ato që janë arritur”, tha ai.

Sipas Ramës, “Ali Ahmetit pa diskutim mund t’i bëhen kritika më shumë nga kushdo që është në pushtet, edhe pse Ali Ahmeti nuk është ulur kurrë në një karrige zyre, përveç atij kolltukut të vjetër të selisë të partisë së tij”.

“S’ka dyshim se i takojnë atij në radhë të parë sulmet dhe kritikat jashtë rreshtave të partisë të shumicës shqiptare që ai udhëheq, por ka një gjë që nuk e luan dot as topi, e cila është se historia do ta thotë me zë edhe më të fortë sesa kushdo sot, se atë që ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për ngritjen lart të shqiptarëve në sytë e krejt botës, të gjithë ne të tjerët nuk mund ta diskutojmë, por vetëm duhet ta pranojmë dhe nëse jemi të mençur ta marrim si mësim nga një shqiptar ndër më të mirët”, tha ai.

Rama u shpreh se sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare, një histori e shkruar me stërmundime të jashtëzakonshme”.

“Kjo jo vetëm për shkak të fuqive të mëdha, për të cilat dikur Shqipëria ishte një shprehje e bezdisshme gjeografike, as fqinjësh më të fuqishëm të cilët deri jo shumë dekada më parë e shihnin shqiptarin si një atavizëm të padurueshëm historik në trevat e këtij rajoni provincial mes lindjes e perëndimit, por edhe për shkak shqiptarësh të këqij të cilët armët e luftës dhe të diplomacisë i përdornin si rrallëkush kundër njëri-tjetrin pa pasur asnjëherë gajlen më të vogël që mes njëri-tjetrit dhe të huajve të zgjidhnin të huajt”, tha Rama.

Rama tha se nuk beson se një tjetër komb në Ballkan ka vuajtur më shumë sesa shqiptarët përçarjen mes vendi.

“Mbi askënd tjetër në këtë lagje grindjesh, luftërash dhe prapambetje historike në mes të Europës nuk ka funksionuar më shumë sundimi përmes përçarjes, çka ua ka bërë të huajve gjithnjë e më të lehtë se sa gjetkë që ta pengojnë subjektivitetin tonë kombëtar të formësohet shtetërisht dhe të afirmohet botërisht. Kudo ku shqiptarët jetojnë nën flamurin e Republikës së Shqipërisë, të Kosovës apo të republikave të tjera të rajonit, qofshin popullsi shtetpërbërëse si në Maqedoninë e Veriut, qofshin minoritete etnike si në shtete të tjera”, tha ai.

Rama vlerësoi se Ali Ahmeti është një shqiptar ndër më të mirët, i cili vite më parë iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe për të drejta të barabarta kushtetuese të vëllezërve dhe motrave tona në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut.

Por, Rama theksoi se me armët luftarake të asaj rezistence, Ahmeti nuk kërkoi as gjakderdhje etnike dhe as hedhje në erë të shtetit të pavarësuar nga shpërbërja e Jugosllavisë, por vendosi në rendin e ditës të Republikës së Maqedonisë domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve si një subjekt i painjorueshëm i shtetpërbërjes së vendit fqinj.

“Armët në krahun e asaj rezistence malesh nuk synonin ndarjen e Maqedonisë, por bashkimin e saj nën të njëjtin flamur vlerash e parimesh të bashkëjetesës demokratike mes popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Rruga e rezistencës së maleve që Ali Ahmeti e të tjerë shqiptarë të mirë e hapën me armët në krah, nuk ishte rruga e një misioni nacionalist lufte, por ishte rruga e një vizioni patriotik paqeje”, shtoi Rama.

“Pa diskutim ato armë në krah nuk ishin asnjë bllof politikanësh të verbuar nga etja për pushtet dhe as një shaka aventurierësh të dalë nga ‘Viti i mbrapshtë’ i Ismail Kadaresë, por ishin deklarata më kuptimplotë e sosjes së durimit të shqiptarëve në kushtet e shpërfilljes diskriminuese të qenies së tyre të domosdoshme dhe të patjetërsueshme për paqen sociale dhe prosperitetin dhe integritetin e Maqedonisë”, tha ai.

Related posts