970×90
970×90
970×90

Prishtinë, Amerikë dhe Hagë: Protestat për UÇK-në

Prishtinë, Amerikë dhe Hagë: Protestat për UÇK-në

Më 3 prill edhe zyrtarisht do të fillojë gjykimi kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës. Megjithatë, para kësaj, do të ketë tri protesta (marshime) duke kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Një protestë do të mbahet të shtunën në Amerikë, tjetra të dielën në Prishtinë, dhe e treta të hënën në Hagë.

Pas një viti e gjysmë të arrestuar e në paraburbim, krerët e UÇK-së do ta nisin përballjen me drejtësinë. Në Dhomat e Specializuara të Hagës do të fillojë gjykimi me fjalën hyrëse të Prokurorisë, e që do të vazhdojë nga fjala e avokatit të viktimave dhe mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

Megjithatë, përderisa ata pritet ta nisin këtë betejë me drejtësinë e Gjykatës Speciale që pritet të zgjasë disa vjet, në kërkim të drejtësisë pritet të ketë disa protesta, raporton Nacionale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Marshi i parë duke kërkur drejtësi për krerët e UÇK-së dhe gjithashtu drejtësi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi do të mbahet në Amerikë. Ajo është organizuar nga veprimtari dhe ish-pjesëtari i Batalionit Atlantiku, Uk Lushi.

Lajmin për organizimin e kësaj proteste e ka bërë të ditur vetë Lushi nëpërmjet rrjeteve sociale. Ai ka kërkuar mbështetje nga të gjithë shqiptarët.

“24 vjet nga vrasja e tre amerikanëve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, nga shteti i Serbisë dhe askush në Serbi nuk është gjykuar ndërkaq që në Hagë Gjykata Speciale nuk po punon drejt në gjykimin e themeluesve kryesorë të shtetit të Kosovës. Më 1 prill shqiptarët e Amerikës do të kërkojmë drejtësi për vëllezërit Bytyqi dhe liderët e Kosovës në Speciale. Bashkohu me NE! Mobilizohu për DREJTËSI!”, ka shkruar Lushi në rrjete sociale.

Protesta do të fillojë në orën 11:00 dhe do të mbahet në hapësirat e varrezave të vëllezërve Bytyqi. “Mobilizohu për drejtësi”, thuhet në thirrjen për protestë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dihet se janë nga financuesit kryesor të Dhomave të Specializuara të Hagës, madje edhe ish-kryeprokurori Smith dhe një numër gjyqtarësh janë amerikanë.

Marsh për drejtësi – Prishtinë

Një marsh pritet të organizohet edhe në Prishtinë me datën 2 prill. Organizimi është bërë nga themeluesit e platformës “Liria ka emër”. Ky marsh deri më tash është përkrahur zyrtarisht nga personalitete të ndryshme, qofshin ata këngëtarë, sportistë, tifo-grupe të ndryshme, përfaqësues të organizatave të veteranëve të luftës, familjarë të personave të pagjetur si Ferdonije Qerkezi. Të gjitha këto postime, janë bërë në platformën “Liria ka emër” në rrjetet sociale.

Në konferencën për media që e kishin pasur për këtë marsh, ideatorët e platformës Ismail Tasholli e Eliza Hoxha, kishin treguar detaje për këtë organizim.

“Gjithsesi, duhet të jemi edhe koshient, se përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare, është përpjekje e pabazë dhe e pamundur dhe ne, nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë. Prandaj, me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, më 2 prill, ju ftojmë për një Marsh solidarizimi për drejtësi. Për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, kishte thënë Hoxha.

Ideatori tjetër, Ismail Tasholli, kishte thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit tonë dhe kjo është një e vërtetë historike të cilën duhet ta ruajmë si të tillë, sepse është një e vërtetë e gjithsecilit prej nesh – është e vërteta e Kosovës.

“Megjithatë, përbrenda vetë nesh, e kemi për obligim që të vërtetën historike e dinjitetin tonë kombëtar ta mbrojmë me përkushtim dhe pikërisht për këtë qëllim”, kishte thënë Tasholli.

Marshi në Prishtinë do të mbahet nga ora 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Raportimet janë se pritet të ketë pjesëmarrje masive. Kjo pasi mëbshtetje marshit i kanë dhënë parti politike, grupe tifozësh, sindikata, këngëtarë e artistë të tjerë.

Protestë në Hagë

Në kohën kur në objektin e Gjykatës Speciale do të fillojë gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, jashtë tij do të ketë protestë. Ajo është organizuar nga mërgimtarë të ndryshmë atje, dhe pritet të ketë pjesëmarrje edhe nga mërgimtarë që pritet të udhëtojnë nga vendet e tjera.

Sipas njoftimit të tyre kjo protestë organizohet kundër Gjykatës Speciale, “Për UÇK-në, të Vërtetën dhe Drejtësinë”.

Protesta do të fillon nga ora 10:00 deri në orën 13:00, në Laan Van Reagan En Gorbatsjov, në Den Hagën,në Holandë.

Kjo protest është organizuar nga Raif Istogu, Fehmi Gucati (vëllai I Hysni Gucatit), Tajar Rexhepi dhe Nasri Bajçina

Edhe më herët në Kosovë ka pasur disa herë protesta e kundërshtime ndaj punës së Dhomave të Specializuara të Hagës.

Related posts