970×90
970×90
970×90

Osmani: Serbia do të tentojë sërish ta destabilizojë Kosovën

Osmani: Serbia do të tentojë sërish ta destabilizojë Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë e Serbia do të tentojë sërish të destabilizojë Kosovën.

Osmani ka thënë se përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë janë të vazhdueshme.

“Një gjë e tillë do të tentohet sërish nga Serbia, sepse vazhdimisht bëhen planifikime të tilla, por jam e bindur me të gjitha përgatitjet që po i bën policia e Kosovës, në partneritet me prezencën ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in dhe NATO-n, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë, që ne do të parandalojmë çdo sulm”, ka thënë Osmani për Zërin e Amerikës.

Osmani ka përmendur bojkotimin e procesit të votimit në veri, duke thënë se u bë me presion direkt nga ana e Beogradit. Osmani ka thënë se një situatë e tillë është shqetësuese dhe mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë.

“Natyrisht që na shqetëson, sepse vërtet Kosova vazhdimisht ka treguar gatishmëri të plotë që t’i ofrojë qytetarëve të saj jo vetëm mbrojtje kushtetuese, por edhe instrumente të reja në qoftë se dëshirojnë t’i ndryshojnë kryetarët e komunave.

Por shqetësimi kryesor është presioni i vazhdueshëm që bëhet mbi qytetarët nëpërmjet strukturave ilegale e kriminale, të cilat financohen, nxiten dhe politikisht emërohen nga ana e Vuçiçit. Kjo tregon nga njëra anë interferim ilegal në zgjedhjet e një shteti tjetër nga ana e Serbisë dhe e dyta që Serbia mbetet po e njëjta dhe si qëllim parësor ka pengimin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, pavarësisht dialogut që ka zgjatur prej 12 vitesh dhe pavarësisht obligimit të tyre ndërkombëtar me po marrëveshjen e 2013, të cilën po e kërkojnë, ku kërkohet që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës dhe të zhbëhen të gjitha strukturat ilegale.

Pra është situatë shqetësuese të cilën e ka krijuar Serbia dhe që mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë”,, ka thënë Osmani.

Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët.

Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas dështimit të referendumit, tha se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.

“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, shkroi Presidentja Osmani.

Presidentja tha se “me organizimin e procesit të votimit të së dielës, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe masat kundër Kosovës të hiqen menjëherë”.

Edhe Qeveria e Kosovës ka dalë përmes një komunikata ka thënë se është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen.

Nga ana tjetër, nga Bashkimi Evropian vlerësojnë se rezultati i votimit të së dielës në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net ka thënë se rezultati i këtij votimi nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që potencohet se është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve.

Kësisoj, masat ndaj Kosovës mbeten në fuqi, por paralajmërohet se Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së.

Related posts