Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi nga data 7 deri më 11 janar.
Sipas një njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), Verma do të trajtojë çështje të rëndësishme në secilin prej vendeve që do të vizitojë.
Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu, forcimin e qeverisjes dhe sundimin e ligjit, dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për qytetarët kosovarë.
Gjithashtu, Verma do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e saj të fuqishme ndaj Ukrainës dhe për ndihmën e ofruar afganëve në nevojë.
Gjatë vizitës në Tiranë, Verma do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse të vendit, si dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.
Në Serbi, Verma pritet të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Kjo vizitë reflekton angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të promovuar stabilitetin, demokracinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.