
Qindra hektarë me pyje janë përfshirë nga zjarri në brezin kufitar me Shqipërinë, e që janë në territorin e Komunës së Gjakovës.
Edhe pas pesë ditësh zjarri vazhdon, e për të ndihmuar shuarjen, është aktivizuar edhe ushtria.
Kjo është bërë e ditur nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se shpërthimi i këtyre zjarreve është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe.
“Shpërthimi i zjarreve në komunën e Gjakovës është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe. Jam në kontakt me kryetarin e Gjakovës dhe nga afër po e përcjellim gjendjen e krijuar. Janë mobilizuar zjarrfikësit e pesë komunave në rajon, si dhe Policia e Kosovës. Po ashtu, është mobilizuar me urgjencë një repart i ushtrisë në zonën e rrezikuar”, ka shkruar Haradinaj. /