
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë se stopimi i procesit të liberalizimit të vizave është çështje e Bashkimit Evropian dhe nuk pritet që të ketë ndonjë kriter shtesë.
Ai ka theksuar se ekzistojnë gjasat që vendimi për heqjen e vizave të merret në qershor në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së. “Gjasat ekzistojnë, por meqë ky vendim nuk varet prej nesh, nuk jemi në pozicion që të garantojmë për këtë punë. Për vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të japin përgjigje institucionet relevante të BE-së. Është e vërtetë se në vazhdimësi na është thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ndërlidhet me zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Po ashtu, na është thënë tekstualisht se kriteret janë plotësuar nga ana e Kosovës, por Evropa ka disa probleme dhe liberalizimi mbase mund të mbetet në plan të dytë”, është shprehur Çelaj, duke shtuar se çështja e taksës nuk ka reflektuar në këtë proces dhe në asnjërën prej proceseve të agjendës evropiane.
“Deri më sot nuk është diskutuar për taksën në këtë aspekt. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mirëpo deri më tani nuk na është thënë se do të ndikojë. Kështu që, nuk kam dëgjuar ndonjë zyrtar të BE-së që të ketë thënë se kjo çështje mund të ndikojë në liberalizimin e vizave. Prandaj çështja e taksës nuk do të duhej të ndikonte”, ka theksuar ai për Epokën e Re.