Një zyrtar policor dyshohet se ka vrarë një person në oborrin e një sallë dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Në lidhje me këtë detaje të reja para mediave ka dhënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Qazim Reka.
Reka ka njoftuar se vrasja ka ndodhur me armë zyrtare.
“Fillimisht ju tregoi se polici nuk ka qenë në detyrë zyrtare, jashtë detyrës zyrtare. Ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile, ka kryer veprën këtu në vendin e ngjarjes para këtij lokali. Fatkeqësisht vrasja u krye me armë zyrtare, është armë e gjatë, por nuk është kallashnikov…” – ka thënë Reka.
Reka tutje ka bërë të ditur se personi i dyshuar është F.R. ndërsa viktima është S.S.
“Zyrtari policor i dyshuar është F.R. ndërsa viktima është S.S. Deri më tani është arrestuar personi i dyshuar, jemi duke marrë informacione të tjera sa i përket dëshmitarëve, me këtë rast merret Inspektorati Policor dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj. Fatkeqësisht ende nuk dihen motivet. Zyrtari policor i dyshuar nuk ka qenë pjesë e dasmës, ka qenë jashtë dasmës dhe jashtë sallës së dasmës.” – ka përfunduar Reka.