Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar të enjten spitalin rajonal të Ferizajt.
Në këtë kontakt, Zemaj ka theksuar se janë duke u angazhuar që në çdo spital rajonal t’i rrisin kapacitetet teknike dhe humane! “Sot vizitova spitalin Rajonal të Ferizajt, për të parë kapacitetet dhe nevojat e stafit mjekësor! Dje, kjo komunë është ndihmuar nga Ministria e Shëndetësisë me 24.000 maska, 900 palë veshje mbrojtëse dhe 990 dezinfektues. Ndërsa sot kemi dorëzuar 2 respiratorë dhe një autoambulancë, e cila do të lehtësojë sadopak punën e stafit mjekësor dhe do të rrisë cilësinë e shërbimeve për qytetarë. Përveç kësaj, në konkursin për shkollim specialistik, për kandidatët nga komuna e Ferizajt janë ndarë 22 vende. Të gjithë këta specializantë do të shërbejnë në këtë komunë, duke i dalë në ndihmë kështu stafit mjekësor aktual, i cili tash e sa muaj po bën punë sublime!”, ka thënë Zemaj.