Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ai ka thënë se dita e parë e shkollës është moment që reflekton rolin madhor që ka edukimi në shoqëri, ndërsa ka theksuar se rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve.
Zemaj mëngjesin e sotëm gjatë vizitës që i bëra shkollës “Iliria” në Prishtinë ka thënë se “në këto kushte pandemie, gjithnjë sipas udhëzimeve, janë bërë të gjitha përgatitjet, dezinfektimi i hapësirave shkollore, shenjëzimet paralajmëruese, në klasa është bërë reduktimi i numrit të nxënësve për të ruajtur distancën fizike, nxënësit bartnin maska si dhe në hapësira të caktuara ishin vendosur dezinfektues”.
“Edhe njëherë dua të konfirmoj nga këtu që Ministria e Shëndetësisë, bashkë edhe me të gjithë akterët e tjerë, të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në këtë proces, jemi maksimalisht të përkushtuar që ta menaxhojmë sa më mirë situatën. Natyrshëm që ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia andaj edhe duhet që të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masave parandaluese të virusit. Urime për të gjithë nxënësit! Paçin një fillim të mbarë, shëndet, suksese, më shumë dije dhe rezultate pozitive!”, ka thënë Zemaj.