Ministri i Shëndetësisë (MSh), Armend Zemaj, me bashkëpunëtorë ka qëndruar të martën në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, për të parë nga afër se si është duke menaxhuar kjo klinikë dhe klinikat tjera me numrin në rritje të rasteve me Covid-19, të cilat janë në tretman spitalor.
Ministri Zemaj është informuar nga drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu dhe drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha për numrin e shtuar të rasteve të hospitalizuara në këtë klinikë, ku të martën kishte 104 pacientë të shtrirë, prej të cilëve 101 të konfirmuar me Covid-19, raporton “Epoka e re”.
Me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale, ministri Zemaj ka thënë se përveç stafit aktual të këtyre klinikave, një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar.
Në takim me drejtuesit e Klinikës Infektive është diskutuar edhe për aspekte të tjera të menaxhimit klinik të rasteve me Covid-19, dhe përforcimit të shërbimeve me qëllim të përballimit të çfarëdo fluksi të pacientëve me Covid-19.
Më pas, ministri Zemaj i ka bërë një vizitë edhe Qendrës së Mjekësisë Sportive për të parë mobilizimin e kapaciteteve në funksion të përballjes me Covid-19.