970×90
970×90

Zemaj siguron nga Gjermania edhe 6 000 teste për Covid-19

Zemaj siguron nga Gjermania edhe 6 000 teste për Covid-19

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt i ka dorëzuar sot 6 000 teste për Covid-19 Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilat u siguruan dhe u financuan nga Ministria e Shëndetësisë e Gjermane.

Në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të këtyre testeve, ambasadori Heldt u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat e nevojshme të sigurisë dhe institucionet përgjegjëse të zbatojnë politikat e kërkuara në mënyrë që të parandalojnë një përhapje të mëtejshme të virusit në Kosovë.

“Janë 6 000 teste që mendoj se do t’ju dalin në ndihmë në këtë fazë”, ka thënë ambasadori gjerman.

Heldt ka thënë se secili duhet t’i respektojë rregullat që janë vendosur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. “Maska nuk është shenjë e dobësisë, por shenjë e respektimit të personit pranë jush”, është shprehur ambasadori Heldt.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar shtetin gjerman për këtë kontribut të drejtpërdrejt në luftën kundër Covid-19.

Ministri Zemaj ka thënë se numri në rritje i rasteve me Covid-19, tregon për nevojën që të respektohen masat e ndërmarra. “Numri i rasteve ka shkuar në rritje, por me këto ndihma do të ja dalim ta kemi një gjendje normale edhe të furnizimit me teste dhe pjesët e tjera të nevojshme”, ka thënë ai.

Zemaj ka theksuar se sistemi shëndetësor është ngarkuar dhe për këtë arsye duhet ruajtur profesionistët shëndetësorë, sikurse edhe popullata, derisa tha se furnizimi është stabil, por se duhet bërë kujdes.

Në kuptim të rritjes së kapaciteteve spitalore, ministri Zemaj ka pohuar se ekziston një pajtueshmëri me Forcën e Sigurisë të Kosovës që nëse ka nevojë mund të përdoret edhe shërbimi shëndetësor i kësaj force për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Testet të cilat u dhuruan nga Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë për Kosovën janë prodhuar nga kompania gjermane “Thermo Fischer” dhe i plotësojnë të gjitha kërkesat e laboratorëve kompetent në Kosovë.

Related posts