Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë efikase, profesionale dhe mbi të gjitha në mënyrë të pavarur.
Armend Zemaj në emër të LDK-së kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të përmbahen nga komentet dhe mos të ndërhyjnë në punën e gjyqësorit, transmeton KP.
“Çdo tendencë për të ndikuar në punën e tyre është në kundërshtim me rregullimin kushtetues të Kosovës. Edhe ne si Kuvend, si institucion me i lartë i shtetit duhet të ruajmë pavarësinë në vendimmarrje të institucioneve të drejtësisë. Është fakt i pamohueshëm se organet e drejtësisë në Kosovë në raste jo të rralla janë vonuar në vendosjen e drejtësisë, por ne besojmë se këto organe në fund të fundit duhet të marrin vendime meritore. Ftojmë kolegët deputetë të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve, dhe të vendoset drejtësia pa përjashtim. Njëherësh bëjmë ftesë që Kuvendi të rezervohet në komentimin e vendimeve të organeve të drejtësisë ashtu siç po ndodh nga foltoret e deputetëve dhe Kuvendit”, tha Zemaj.