Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë sot se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik do të rrisë kapacitetet për testime dhe do të decentralizohet procesi i testimeve edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik në qytetet e mëdha.
Zemaj në një postim në Facebook shkruan se ka kërkuar nga drejtuesit e agjencive kërkova që palët e përfshira në sektorin shëndetësor të punojnë me përgjegjësi, llogaridhënie, profesionalizëm.
Lexoni të plotë postimin:
“Angazhim me përgjegjësi, llogaridhënie, profesionalizëm.
Sapo përfundova takimin me drejtuesit e agjensioneve që veprojnë në kuadër të MSh-së, që janë: Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike/IKSHPK, Inspektorati Shëndetësisë, Inspektorati Farmaceutik, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, Sistemi Informativ Shëndetësor/SISH, SHSKUK-ja, etj. Biseduam për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe ngritjen e përgjegjësisë së ofruesve të shërbimeve shëndetësore.
Nga drejtuesit e agjencive kërkova që palët e përfshira në sektorin shëndetësor të punojnë me përgjegjësi, llogaridhënie, profesionalizëm. Inspektoratet përkatëse të vazhdojnë monitorimin, inspektimin, këshillimin, rekomandimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj të gjitha institucioneve shëndetësore, sipas ligjit.
Biseduam edhe për funksionimin e IKSHPK, ku po bëhet një punë mbinjerëzore. IKSHPK do të rrisë kapacitetet për testime dhe do të decentralizohet procesi i testimeve edhe në QRSHP në qytetet e mëdha.
Së bashku të angazhuar për një popullatë të shëndosh!”.