
Kryeministri Albin Kurti më 26 dhjetor të vitit të kaluar mori vendim që ta rikthejë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitinë, pas largimit të Rifat Latifit.
Dy ditë pasi e emëroi, Kurti më 28 dhjetor mbajti një konferencë për media ku ndër të tjera foli edhe për rikthimin e Vitisë së i pari i shëndetësisë në vend.
Kryeministri Kurti tha se është hera e tretë që e emëron, e mbase kjo herë dhe e vërteta.
“Tash e kemi ministër sërish Arben Vitinë, është hera e tretë që e emëroj, dhe mbase e treta e vërteta”, tha Kurti në konferencë.
Por rikthimi i Vitisë nuk po shihet nga opozita kosovare si një hap që mund të rregullojë problemet që janë në shëndetësinë kosovare, shkruan Reporteri.net.
Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nga LDK thotë se gjendja ka qenë keq pa ministër, por sipas tij është edhe më keq me Vitinë ministër.
Zemaj, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se shëndeti i qytetarëve është në rrezik të vazhdueshëm nga paaftësia menaxheriale e kësaj Qeverie, pasi thotë se mungojnë barnat elementare.
“Keq pa ministër edhe më keq me ministër të shëndetësisë.
Shëndeti i qytetarëve është në rrezik të vazhdueshëm nga paaftësia menaxheriale e kësaj Qeveri. Kjo Qeveri nuk ka të ndalur në degradimin e sektorit më jetik – sektorit të shëndetësisë. Degradimin e shëndetësisë e ka shndërruar në normalitet.
Barnat mungojnë pothuajse në të gjitha klinikat, gjersa 1.3 milion euro të destinuara për blerje të barnave shkojnë në suficit. Mungojnë barnat më elementare e deri te ato që do të duhej të siguroheshin për pacientët me sëmundje të kancerit”, ka shkruar Zemaj.
Ai më tutje ka përmendur ikjen e mjekëve dhe infermierëve nga vendi.
“Nuk duhet harruar se, 365 mjek të rinj, 630 infermierë, si dhe mbi 60 mjek specialistë kanë ikur nga sektori publik i shëndetësisë gjatë kësaj Qeverie. Ndërkaq, lista e pritjes për pacientët që presin të marrin shërbimet e nevojshme po rritet frikshëm deri në pafundësi.
Katandisja e sektorit të shëndetësisë ka adresë dhe përgjegjës; Qeverinë e paaftë, e cila menaxhoj keq pa ministër, ndërsa edhe më keq me ministër”, ka shkruar Zemaj.
Arben Vitia u riemërua Ministër i Shëndetësisë të hënën e 26 dhjetorit, pas dorëheqjes në tetor të vitit 2021, për të kandiduar nga radhët e VV-së për Kryetar të Prishtinës.