
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se bisedimet e fundit në Arabinë Saudite midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë ndihmuan Vladimir Putin të dilte nga vite të tëra izolimi politik.
Udhëheqësi ukrainas e tha këtë gjatë një konference për shtyp të mërkurën, sipas një korrespondenti të Ukrinform, përcjell Telegrafi.
“Fakti që ata po diskutojnë çështjet e tyre dypalëshe në Arabinë Saudite – e kam thënë edhe më parë, kjo është e drejta e tyre. Megjithatë, unë besoj se Shtetet e Bashkuara e kanë ndihmuar Putinin të dalë nga izolimi shumëvjeçar”, citohet të ketë thënë Zelensky.
Ai gjithashtu theksoi se Rusia gjithnjë e më shumë po portretizohet si një “viktimë” në këtë luftë.
“Narrativa se 90% e të gjithë ndihmës vjen nga Shtetet e Bashkuara. […] Ne e kuptojmë se e vërteta është pak më ndryshe, megjithëse sigurisht, ne jemi mirënjohës për mbështetjen. Por unë do të doja të shihja më shumë të vërteta nga ekipi i Trump. Sepse e gjithë kjo nuk është në dobi të Ukrainës – po ndihmon në nxjerrjen e Putinit nga izolimi. Mendoj se Putini dhe rusët janë mjaft të kënaqur që dje po trajtoheshin tanimë si ‘viktimë’. Kjo është diçka e re”, tha Zelensky.
Ai e gjeti gjithashtu shqetësuese që termi “konflikt” u përdor për të përshkruar luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“Nëse Sekretari i Shtetit (Marco) Rubio i referohet zyrtarisht kësaj si një ‘konflikt’ – kjo është ajo që më është treguar (ky informacion) ka nevojë për verifikim – atëherë ky është një zbutje e qëndrimit të tyre”, ka thënë më tej Zelensky.
Ai shtoi se kjo nuk është hera e parë që i është dashur t’u sqarojë politikanëve amerikanë se ajo që po ndodh midis Ukrainës dhe Rusisë është një luftë, jo vetëm një konflikt.
Ndryshe, më 18 shkurt, delegacionet amerikane dhe ruse u takuan në Arabinë Saudite për negociata.
Delegacioni amerikan përfshinte Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio; Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz; si dhe të dërguarin special të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Rusinë e përfaqësonin ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov; ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov dhe kreu i Fondit të Investimeve Direkte Ruse, Kirill Dmitriev.
Presidenti Zelensky deklaroi gjithashtu se Putini i frikësohet negociatave të drejtpërdrejta me Ukrainën, duke i parë ato si një shenjë dobësie dhe humbjeje.
Më 17 shkurt, ai theksoi se Ukraina nuk do të njohë asnjë rezultat të bisedimeve të Arabisë Saudite nëse nuk përfshihet në diskutime.