
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmi ndaj digës në Nova Kakhovka tregon se trupat ruse “duhet të dëbohen nga çdo kënd i tokës ukrainase”, raporton televizioni BBC.
Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, presidenti ukrainas tha: “Terroristët nuk do të mund ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa ose me asgjë tjetër.”
“Është vetëm fitorja e Ukrainës ajo që do ta kthejë sigurinë dhe kjo fitore do të vijë”– shtoi ai.
Në anën tjetër, Rusia ka mohuar se e ka kryer sulmin ndaj digës.
Zelensky tha se të gjitha shërbimet vazhdojnë të punojnë pavarësisht nga dëmi dhe u bëri thirrje të gjithëve që po e lexonin shkrimin e tij që t’i shpërndajnë vetëm informatat zyrtare dhe të vërtetuara.
Ndërkohë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se është i shokuar nga sulmi i pashembullt ndaj digës në rajonin Kherson të Ukrainës.
“Shkatërrimi i infrastrukturës civile cilësohet qartazi si krim lufte”– shkroi ai në rrjetin “Twitter”.
Zyrtari i lartë i BE-së e fajësoi Rusinë për këtë sulm, duke thënë se Këshilli Evropian do ta mbajë Moskën përgjegjëse për veprimet e saj.
Ai shtoi se do të propozojë më shumë asistencë për zonat e vërshuara nga uji gjatë samitit të ardhshëm të udhëheqësve të vendeve të BE-së në Bruksel