
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar qëndroi sot gjatë ditës në Kosovë nga ku u takua me homologun e tij kosovar, ministrin Rrustem Berisha dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Pas takimit me Berishën i njëjti ka kërkuar që të hiqet pengesa FETO, duke kërkuar nga autoritetet e vendit që të dorëzojnë edhe më shumë gylenistë. Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës po mohojnë që është diskutuar një gjë e tillë në takimin që ministri turk pati me Haradinaj, raporton Gazeta Express
Në një përgjigje për Expressin, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka demantuar lajmet se është diskutuar për gylenistët.
Sipas saj krejt çka është folur në takim është cekur edhe në komunikatën e Qeverisë.
“Qeveria demanton totalisht nuk ka lidhje asgjë me gylenistët. Krejt çka është diskutuar është në komunikatën e Qeverisë të cilën tashmë e kanë mediat”, thotë Gashi.
Ndërkohë në komunikatën e lëshuar thuhet se është biseduar për zhvillimet politike në vend dhe rajon si dhe për themelim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Mirëpo, ishte vet ministri turk që pas takimit me ministrin Rrustem Berisha është deklaruar se marrëdhëniet e mira midis Kosovës dhe Turqisë janë të rëndësishme e duke kërkuar që vendet të heqin me shpejtësi pengesën FETO, ka raportuar Anadolu Agency.
“Me shpejtësi të heqim pengesën FETO mes nesh. Duhet të shpëtohemi sa më shpejt nga kjo”, u shpreh Akar, duke folur për rëndësinë e luftës kundër organizatës terroriste FETO, përgjegjëse për tentativën për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016.
Ministri Akar, gjatë vitit 2016 në pucin që ishte organizuar ishte në krye të ushtrisë turke dhe sipas versionit të Turqisë erdoganiste është kidnapuar nga puçistët e Gylenit.