
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke se më në fund po dorëzohet para presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e taksës, në mënyrë që të mos bllokohet dialogu Kosovë-Serbi, raporton lajmi.net.
Për shkak të taksës dhe bllokimit të dialogut, këtë javë dhe javën e ardhshme në Kosovë pritet të vijnë dy këshilltarë të lartë të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Burime të lajmi.net, thonë se pavarësisht se në vazhdimësi Haradinaj po deklarohet se “taksa nuk do të hiqet pa njohje”, ai më në fund ka vendosur të lëshojë pe.
Sipas po të njëjtit burim, retorikën e mbajtjes në fuqi të taksës Haradinaj pritet ta përdorë edhe më tutje, mirëpo përfundimisht ai do ta tërheqë atë.
Lajmi.net mëson se aktualisht Haradinaj është duke i shqyrtuar mënyrat se si ta arsyetojë vendimin për pezullimin e taksës.
Për të dalë nga kjo situatë, siç pohohet, Haradinaj është duke e konsideruar Platformën e Dialogut.
Ai është duke menduar që ta suspendojë taksën, pas miratimit të Platformës së Dialogut në Kuvendin e Kosovës, me arsyetimin se me këtë dokument bëhet e qartë se nuk mund të diskutohet për kufijtë në Dialogun e Brukselit.
Ndryshe, qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bonja e Hercegovina, më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Që prej vendosjes së kësaj takse, Kosovës në vazhdimësi i është kërkuar që ta pezullojë atë për shkak të bllokimit të dialogut dhe në këtë mënyrë është pamundësuar edhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. /