Mediat në Belgjikë, të cilat po raportojnë për skandalin e mishit të prishur në vendin e tyre, mish i cili ishte eksportuar edhe në Kosovë nga kompania “Veviba” nga Bastogne, kanë zbuluar se kjo nuk është kompania e vetme që ka eksportuar mish të prishur për në vendin tonë.
Transmetuesi publik belg, në gjuhën franceze, RTBF, ka raportuar se edhe kompania “Vanlommel” nga Herentals, e specializuar në mish viçi, është kapur që ka dërguar në Kosovë mish të prishur.
Mirëpo, sipas kompanisë, ky ka qenë vetëm “një gabim njerëzor”.
Gushtin e vitit të kaluar, një sasi mishin prej 20 tonësh me etiketat e firmës “Vanlommel” është sekuestruar në kufirin e Kosovës. Kjo pasi mishit të destinuar për konsumatorin tonë i kishte skaduar afati i përdorimit, transmeton Koha.net.
E adresë në Kosovë për pranimin e këtij mishi ka qenë kompania “Euro IDA”, kompania e njëjtë e përfshirë në skandalin “Veviba”.
“Sërish mish nga Belgjika, dhe sërish njoftuam FASFC-në (Agjencia Federale për siguri në ushqim) dhe shkatërruam tërë sasinë e mishit në mënyrë që të mos arrinte tek konsumatori kosovar”, ka thënë një zëdhënës i Agjencisë Kosovare për Siguri në Ushqim për RTBF-në.
Ndërkaq, drejtori komercial i “Vanlommel”, Johan Heylen, ka thënë se kjo ka qenë thjeshtë një gabim njerëzor. “Ka qenë gabim nga ana jonë. Ne natyrisht se e kemi rimbursuar konsumatorin për kostot e shkaktuara. Autoritetet kosovare e kanë vënë re atë në kufi. Ne e kemi marrë përgjegjësinë tonë. Kjo s’ka të bëjë me mashtrim. Etiketat ishin të sakta, por është e vërtetë se mishit i kishte skaduar afati për 3 javë, për mishin e ngrirë, i cili normalisht ka jetëgjatësi deri në 2 vjet, por atij i kishte skaduar për 3 javë”, thotë Heylen.
Ditë më parë, mediat belge zbuluan një skandal të mishit të prishur i cili, ndonëse në masë të vogël, ishte shitur edhe në tregun vendës. Kryesisht, mishi i prishur kishte pasur për destinacion eksportin, dhe pjesë e këtij eksporti ishte edhe Kosova.