Kosova dhe Serbia, dje konfirmuan edhe zyrtarisht pranimin e planit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.
Ndonëse nuk u nënshkrua asgjë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, njoftoi se takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfundoi në dakordim mes të dy liderëve.
Borrell tha se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan lidhur me konceptet që parasheh propozimi evropian, pa kërkuar diskutime të mëtejshme.
Në të janë 11 nene, dhe plani pos marrëveshjes bazë përmban edhe planin e zbatimit.
Ndër pikat e para të marrëveshjes që do të zbatohen sipas këtij udhërrëfyesi janë ajo për Asociacionin dhe për Kishën Ortodokse Serbe, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Bëhet fjalë për detyrimet e palëve që rrjedhin nga nenet 1,4,7,8,9 dhe pika 10 që flet për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat siç theksohet aty mbeten të vlefshme dhe detyruese për palët.
Po ashtu ndër detyrimet e para që do të nisin së zbatuari, siç theksohet janë ato që dalin nga neni 7, që ndër të tjera ka të bëjë me statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Ky nen kërkon që palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
Të gjitha nenet tjera theksohet se do të hyjnë në fuqi me nënshkrimin e marrëveshjes.
Në udhërrëyes parashihet që jo më vonë se 15 ditë pasi palët të nënshkruajnë marrëveshjen bazë, ekipi menaxhues duhet të paraqesë draftin e parë të statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“3.Jo më vonë se 15 ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes themelore, Ekipi Menaxhues do të mblidhet për të paraqitur draftin e parë të Statutit për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pas së cilës Palët do të fillojnë menjëherë negociatat për Statutin nën lehtësimin e BE-së”, thuhet në dokument. 4. Me paraqitjen e draftit të parë të Statusit dhe fillimin e negociatave për të, palët do të mundësojnë zyrtarisht hyrjen në fuqi menjëherë si vijon:
a) Njohja reciproke e dokumenteve të tyre përkatëse dhe simboleve kombëtare (neni 1 (2) i Marrëveshjes); dhe
b) Shkëmbimi i misioneve të përhershme në bazë të një marrëveshjeje paraprake mbi marrëveshjet praktike (neni 8 i Marrëveshjes)
5. Palët angazhohen të finalizojnë negociatat dhe të bien dakord për statutin në një afat kohor të përshpejtuar, por jo më vonë se afati i përmendur në nenin 8 të kësaj shtojce. Kosova zotohet të sigurojë qëndrueshmëri ligjore të Statutit të rënë dakord dhe të miratojë atë duke miratuar një dekret.
6. Brenda 30 ditësh nga nënshkrimi i Marrëveshjes, palët do të krijojnë një Komitet të Përbashkët për të Monitoruar zbatimin e Marrëveshjes të kryesuar nga BE-ja (neni 10 (1) i Marrëveshjes dhe do të bien dakord për Termat e Referencës së Komitetit.
7. Brenda 30 ditëve pas themelimit të Komitetit të përbashkët, Kosova do të zyrtarizojë Statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të fillojë procedurat e brendshme për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja (neni 7.2) të Marrëveshjes.
8.Brenda 150 ditëve pas nënshkrimit të Marrëveshjes, BE-ja së bashku me donatorët e tjerë do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë për të miratuar një paketë speciale për investime dhe mbështetje financiare, ( Neni (9) i Marrëveshjes). Asnjë disbursim (shpërndarje e mjeteve financiare nga konferenca e donatorëve) nga paketa nuk do të bëhet përpara se Lehtësuesi i BE-së të konkludojë se të gjitha dispozitat e këtij Aneksi dhe nenit 4 të marrëveshjes Bazë janë zbatuar plotësisht.