
Ylli i Zvicrës Xherdan Shaqiri ka uruar Kosovën për barazimin ndaj Zvicrës, derisa pranoi se mund ta ketë prekur topin me dorë te goli i dytë i Helvetikëve.
Shaqiri kontriboui te goli i dytë i Zvicrës përmes një pasimi fantastik të Rodriguez, por pas ndeshjes e pranoi se ndoshta e ka prekur pak me dorë.
Fillimisht, ai për “Klan Kosova” deklaroi se iu plotësua ëndrra dhe falënderoi tifozët për këtë mbështetje.
“Ishte kënaqësi që isha këtu, ishte ëndërr për mua që të luaj në Fadil Vokrri, që ka emër këtu. E kam njoftur shumë mirë dhe e kam respektuar shumë. Ishte emocion i madh, që nuk kam më harruar asnjëherë. Atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme”.
“Ka ndodhur me Zvicrën, por sonte ishte shumë me e veçantë. Është diçka që nuk e kam paramenduar, e kam pasur ëndërr të luaj këtu. Ndjenjë ndryshe? Normal është komplet më ndryshe, i kam shikuar ndeshjet e Kosovës. Sot m’u plotësua ëndrra”.
“A e preke topin me dorë? S’e di lojtarët erdhën tek unë më thanë ‘e preku me dorë’, por është referi që i shkon këto gjëra. Nuk e di ndoshta e kam prek pak. Nuk po di”.
“Terreni s’ka qenë më i miri. Është vështirë me luajt në këtë terren, por edhe Kosova që ka kualitetin e mirë. Kështu është futbolli, Kosovës duhet më i dhënë ‘credit’ sepse e bën dallimin”.