Autoritetet në Holandë kanë thënë të enjten se kanë ndaluar infiltrimin e një spiuni rus në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë. Kjo ngjarje ka ndodhur në prill, teksa autoritetet pretendojnë se ky i fundit po provonte të ketë qasje në informacione që lidhen me raportimet për krime të luftës së Rusisë, raporton The Washington Post, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Sigurisë (AIVD) tha se bëhet fjalë për një 36-vjeçar, Sergey Vladimirovich Cherkasov, por që u paraqit me një identitet të rremë – si një 33 vjeçar i nënshtetësisë braziliane, Viktor Muller Ferreira.
Ai kishte udhëtuar nga Brazili në Holandë, mirëpo, pasi dështoi në misionin e tij, është arrestuar.
Në atë kohë, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës kishte filluar të hetonte krimet e dyshuara ruse të luftës në Ukrainë dhe nëse Cherkasov do të kishte pasur sukses, ai do ishte qasur në sistemet e e-mailit të gjykatës ndërkombëtare dhe do të ishte në gjendje të kopjonte, ngatërronte ose shkatërronte dokumentet ose provat e dorëzuara në gjykata.
“Kërcënimi i paraqitur nga ky oficer i inteligjencës konsiderohet potencialisht shumë i lartë,” tha në një deklaratë Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Sigurisë Holandeze, transmeton Reporteri.net.
Ndërkaq, kreu i shërbimit të inteligjencës holandeze, Erik Akerboom, tha se ishte “shumë e rrallë” të kapje një agjent rus “të këtij kalibri”.
Spiuni kishte zhvilluar një identitet të rremë të ndërtuar në mënyrë të detajuar përgjatë viteve, me ç’rast është bërë pjesë e programit rus, i ashtuquajtur si “program i ilegalëve”, që daton që nga Lufta e Ftohtë dhe është ringjallur gjerësisht nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin.
Ilegalët janë agjentë rusë, të cilëve u jepen kredenciale të rreme nga një vend tjetër dhe ngarkohen me detyrë për të krijuar një identitet të rremë, duke e mbajtur atë të fshehtë nga partnerët dhe fëmijët.
Një grup prej 10 ilegalësh u demaskua nga FBI në SHBA 12 vjet më parë, por ndërsa ata kishin qenë në vend për më shumë se një dekadë, ata kryesisht nuk kishin arritur të merrnin pozicione pushteti dhe ndikimi, pjesërisht sepse ishin monitoruar nga afër.