
Deklarimin e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës, se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem “është një çështje e kryer”, e ka cituar gazeta prestigjioze amerikane Washington Post, në një lajm për qëndrimin e qeverisë së re në raport me marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dhe vendosjen e prezencës diplomatike atje.
Gërvalla ishte pyetur gjatë një interviste për Kallxo rreth presionit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, vendosur në Kosovën dhe qeverinë e saj të re për ta rikonsideruar hapjen e ambasadës në Jerusalem.
“Besoj se çështja e hapjes së ambasadës tonë në Izrael është e mbyllur. Pse është e mbyllur? Sepse, ne nuk mund të përfshihemi në aventura diplomatike për ta rikonsideruar një çështje që tashmë veç ka marr fund”, ka thënë Gërvalla, e cila është cituar më pas edhe nga Uashington Post.
Gërvalla ka deklaruar edhe se Kosova veç forcimit të raporteve me Izraelin, dëshiron gjithashtu edhe “të ketë miqësi të mirë dhe lidhje të mira me Palestinën gjithashtu”.
Kosova ka vendosur lidhje diplomatik me Izraelin me një shkurt, pas arritjes së marrëveshjes për njohje me paktin e arritur në Uashington.
Tashmë Kosova është bërë vendi i parë në Evropë dhe vendi i parë me shumicë myslimane që ka vendosur ambasadën në pjesën perëndimore të Jerusalemit.
Shtetet e Bashkuara dhe Guatemala janë dy vendet tjera që kanë ambasada në Jerusalem.
Palestinezët kanë pretendime për pjesën lindore të qytetit, të marrë nga izraelitët me 1967 në Luftërat e Lindjes së Mesme dhe më vonë të aneksuar si kryeqyteti i shtetit të ardhshëm izraelit.
Shumica e vendeve ambasadat i kanë të vendosura në Tel Aviv.
Pas vendimit të Kosovës, presidenti turk kërkoi nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ta rishqyrtojë vendimin.