970×90
970×90
970×90
970×90

“Wagner”, ushtria e mercenarëve të Vladimir Putinit, e angazhuar në zonat e nxehta të konflikteve në botë

“Wagner”, ushtria e mercenarëve të Vladimir Putinit, e angazhuar në zonat e nxehta të konflikteve në botë

Nga Christian Putsch

“World Crunch”

Ishte fundi i majit, kur 10.000 spektatorë hynë në “Barthélemy Boganda Stadium” në Bangui, kryeqyteti i Republikës së Afrikës Qendrore, për një premierë të veçantë të një filmi. Ishte shtruar një tapet të kuq për VIP-at që mbërrinin për të parë filmin “Tourist” – që përshkruan dhe lavdëron punën e mercenarëve rusë, të cilët e mbrojnë heroikisht popullsinë lokale nga rebelët vrasës në një konflikt afrikan të trilluar.

Sipas mediave ruse, filmi propagandistik u financua nga Yevgeny Prigozhin. Oligarku i lidhur me Kremlinin, konsiderohet truri kryesor i grupimit më të njohur rus të mercenarëve, grupit “Wagner”. Por aktivitetet e tyre reale në Republikën e Afrikës Qendrore, bien në kundërshtim me skenarin e filmit që u dha atë ditë.

Për shembull, CNN zbuloi krime lufte të dukshme në një xhami në qytetin Bambari më 15 shkurt të këtij viti. Dëshmitarët okularë raportuan për të shtëna pa kriter, dhe për të paktën 12 të vrarë, përfshirë mercenarë rusë dhe ushtarë të Republikës së Afrikës Qendrore.

Midis të vdekurve nuk kishte asnjë rebel, thanë ata, duke përmendur edhe incidente të tjera të ngjashme. Moska po përdor “kontraktorë ushtarakë të financuar nga shteti” në të paktën 16 vende afrikane, për të “maskuar dhe mohuar bindshëm rolin e drejtpërdrejtë të Moskës”.  Këto të dhëna përkojnë me gjetjet e Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara për Përdorimin e Mercenarëve. Ky grupim shprehet “thellësisht i shqetësuar” për lidhjen midis mercenarëve dhe një serie sulmesh brutale në Republikën e Afrikës Qendrore.

Ai ka marrë “raporte për shkelje të rëndësishme të të drejtave të njeriut”. Organizata e Kombeve të Bashkuara e thekson enkas rolin e grupit “Wagner”, aktivitetet e të cilit janë të dokumentuara edhe në Libi. Ndërkohë Perëndimi po vëren gjithashtu ndikimin në rritje të organizatës ruse edhe në pjesë të tjera të Afrikës.

SHBA-ja paralajmëroi disa kohë më parë se Moska po përdor “kontraktorë ushtarakë të financuar nga shteti” në të paktën 16 vende afrikane, për të “maskuar dhe mohuar bindshëm rolin e drejtpërdrejtë të Moskës”.

E përditshmja gjermane “Bild”, citon nga një letër sekrete të Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane e cila u botua në vitin 2019. Sipas gazetës, “Wagner është një instrument hibrid rus për të ushtruar ndikim politik, ekonomik dhe ushtarak”.

Aftësitë e tij janë “me interes të madh për regjimet autokratike, të cilat mund t’i përdorim kundër popullsisë së tyre”. Mbi grupin “Wagner” u fol gjithashtu javës që shkoi në Berlin, në konferencën e dytë ndërkombëtare mbi të ardhmen e Libisë.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas kishte ftuar edhe Rusinë në atë takim. Takimi i parë mbi Libinë në Berlin në janarin e vitit 2020, ishte një kundërpërgjigje ndaj ndërkombëtarizimit të konfliktit: Shtetet e Gjirit, Turqia, Rusia, lista e pjesëmarrësve ishte shumë e gjatë.

Në atë konferencë u ra dakord t’i jepet fund mbështetjes ushtarake për palët në luftën civile. Nuk ka dyshim, se qeveria e re transitore në Tripoli jep arsye për të pasur njëfarë shprese. Por tërheqja e trupave të huaja dhe mercenarëve, për të cilën u ra dakord në marrëveshjen e armëpushimit, mbetet ende një problem.

Ministria e jashtme Gjermane, thotë se qeveria e përkohshme libiane kishte përsëritur vazhdimisht thirrjen e saj për përfundimin e tërheqjes së trupave të huaja nga vendi. Sipas informacionit nga burimet e “Die Welt”, aktualisht në mbarë botën janë të vendosur 7.191 mercenarë të grupit “Wagner’, shumica në Siri, pjesërisht për të udhëzuar më pas në vendet e tjera.

Këto trupa përfshijnë njësitë kundër terrorizmit, batalionet e telekomunikacionit, mbrojtjes ajrore dhe 8 “politologë”, të cilët kanë shumë të ngjarë të merren me fushatat e dezinformimit. Mercenarët kishin mbështetur përparimin e gjeneralit renegat Khalifa Haftar drejt kryeqytetit Tripoli, duke u tallur kësisoj me përpjekjet ndërkombëtare për paqen.

Deri më tani, nuk ka asnjë shenjë të tërheqjes. “Grupi Wagner nuk është larguar nga vendi”- thotë Paul Stronski nga Carnegie Endowment for International Peace.

Mercenarët janë një “instrument me kosto të ulët për projeksionin e pushtetit për Rusinë”. Ata po përballen me një “aktor gjysmë të pavarur”, që megjithëse kontradiktat e shpeshta me ushtrinë ruse dhe Ministrinë e Jashtme, vepron në interesin e presidentit Vladimir Putin.

“Përndryshe, Putin do të shpërbënte Wagner, ashtu si veproi me kompanitë e tjera ushtarake ruse”- thekson Stronski. Putini është i fokusuar në rifitimin e ndikimit të humbur të Rusisë në Afrikë që pas shembjes së Bashkimit Sovjetik.

I formuar rreth vitit 2014, ky grup mercenarësh thuhet se ka qenë i përfshirë në luftërat në Ukrainën Lindore dhe Siri, gjithmonë në përputhje me interesat e Vladimir Putinit. Komandanti i grupit “Wagner”, Dmitri Utkin, një ish-oficer i inteligjencës ruse i apasionuar pas kompozitorit gjerman Richard Wagner, mori personalisht një medalje trimërie nga presidenti rus.

Por organizatori dhe financuesi kryesor është ndoshta Yevgeny Prigozhin. Oligarku rus mban nofkën “Kuzhinieri i Putinit”, pasi dikur i shërbeu personalisht sundimtarit në një nga restorantet e tij në Moskë. Në atë kohë, ai fitoi miliona dollarë përmes kontrata fitimprurëse të dhëna nga Kremlini.

Ndërkohë, ai Prigozhin besohet se ka fituar miliarda duke ofruar shërbime strategjike. Sipas hetuesve amerikanë, ai ndikoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA përmes “fabrikës së tij të famshme të trollëve” në Shën Petersburg.

Për shërbimet e grupit Wagner, ai paguhet me sa duket shumë – shpesh me koncesione të lëndës së parë. Për grupin “Wagner”, vendet autokratike janë një objektiv kryesor për biznesin e ri. Putini është i përqendruar gjithashtu edhe në rifitimin e ndikimit të humbur të Rusisë në Afrikë.

Ndonëse vëllimi i tregtisë ruse në kontinent është i ulët, Putini mbështetet tek bashkëpunimi ushtarak. Grupi “Wagner” është instrumenti i tij i dobishëm për operacione delikate, në të cilat duhet të shmanget përgjegjësia politike dhe shumë vëmendje.

Por ashtu si në Libi, ky grup po përmendet shpesh në tryezat e bisedimeve ndërkombëtare.

Mercenarët janë të pajisur herë më armë dhe herë me laptopë. Fokusi shpesh është se kush është përgjegjës, ose mund të jetë përgjegjës në të ardhmen.

Facebook fshiu në vitin 2019 shumë faqe që kishin për qëllim të ndikonin mbi politikën në 8 vende afrikane. Rrjeti social njoftoi se fushatat mund të gjurmohen se kanë lidhje me kompanitë e Prigozhin. Në Zimbabve, opozita i akuzoi këshilltarët rusë si të lidhur me grupin ”Wagner” për ushtrim të ndikimit në favor të qeverisë.

Ndërsa në Madagaskar, po sipas raporteve të medias, këshilltarët e kompanisë mbështetën disa kandidatë presidencialë, por pa sukses, pasi askush prej tyre nuk fitoi. Pala ruse i mohon akuzat. “Ndikimi i grupit Wagner në konfliktet lokale, shpesh është ekzagjeruar dhe i keq-interpretuar”- thotë Andrei Liakhov.

Avokati rus këshillon kompanitë ushtarake në Afrikë. “Kudo që ndërmarrjet ruse kanë një projekt për të kërkuar burime minerale, ju do të gjeni gjithashtu një kompani ushtarake që e monitoron atë”- shton ai.

Sipas Liakhov, kompani të tilla si “Wagner Group” nuk janë të përgatitura për luftë, si ajo që është parë në Mozambik. Atje, e pranon Liakhov, grupi Wagner u përpoq të luftonte kundër terroristëve islamikë dy vjet më parë me shpresën se do të zbulonin fusha të gazit. Ata u tërhoqën pas humbjeve të konsiderueshme.

Por të dhënat nga fluturimet të para nga ”Die Welt”, tregojnë një rritje të aktivitetit në të gjithë Afrikën. Më 4 janar, 160 mercenarë të grupit “Wagner” u ulën me një avion në orën 3.50 të mëngjesit në aeroportin libian Al Khadim.

Kontingjenti përfshinte snajperistë, anëtarë të njësive luftarake, dhe kreun e pretenduar të misionit të Libisë, të njohur si “Blanket”. Rreth një e treta e luftëtarëve u zhvendos direkt në Republikën e Afrikës Qendrore dhe njësia e pestë luftarake (238 persona), u zhvendos në qytetin libian Sirte.

Kjo forcë mercenare është gjithashtu aktive në Sudan, ku u përpoq të mbante në pushtet diktatorin e vjetër Omar Hassan Al-Bashir. “Qeveria i ka punësuar ata për të shtypur demonstratat në një mënyrë më efektive”- thotë Hafiz Mohamed, drejtor i organizatës për të drejtat e njeriut “Justice Africa Sudan”.

Grupi “Wagner” mbron edhe ish-udhëheqësin e milicisë Hemeti, të cilin shumë njerëz e konsiderojnë udhëheqësin e ri të fortë të Sudanit. Rusët ndihmojnë në trajnimin e të rinjve sudanezë, që dërgoi Hemeti në Jemen për luftë. Atje ata luftojnë së bashku me ushtarakët e Arabinë Saudite, por shumica e pagës së tyre i kalon kryekomandantit. Mohamed thotë: “Wagner ndihmon ata që kanë mundësi të paguajnë”.

Related posts