970×90
970×90

“Wagner”-i ofron 15 milionë dollarë për kapjen e ministrit të Mbrojtjes të Italisë

“Wagner”-i ofron 15 milionë dollarë për kapjen e ministrit të Mbrojtjes të Italisë

Grupi rus i mercenarëve, “Wagner”, ka ofruar 15 milionë dollarë shpërblim për kapjen e ministrit të Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, i cili e ka fajësuar këtë grup për valën e ngritur të emigrantëve në Itali, sipas një raporti të shërbimeve italiane të inteligjencës.

Raportohet se lajmi për ofrimin e shpërblimit është pranuar nga inteligjenca italiane para rreth dhjetë ditëve, por nuk u publikua deri javën e kaluar. Lajmi erdhi, pasi Crosetto e fajësoi “Wagner”-in për shtimin e numrit të emigrantëve nga Afrika në Itali, raporton faqja “Euractiv”.

Të hënën, Crosseto tha se grupi “Wagner”, shefi i të cilit ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, qëndron prapa rritjes së numrit të emigrantëve, gjë që ka shkaktuar shqetësime në Itali e në Evropë si dhe vdekje të konsiderueshme.

“Mendoj se tani është e sigurt të thuhet se rritja eksponenciale në fenomenin e migrimit nga brigjet e Afrikës është, gjithashtu, në një nivel jo të parëndësishëm, pjesë e një strategjie të qartë të luftës hibride që po e zbaton divizioni “Wagner”, duke e shfrytëzuar peshën e vet të konsiderueshme në disa shtete afrikan”- tha ministri italian.

Ai shtoi se BE-ja, NATO-ja dhe Perëndimi, njësoj siç kanë kuptuar se sulmet kibernetike janë pjesë e konfliktit të vazhdueshëm global në Ukrainë, duhet të kuptojnë se fronti i Evropës Jugore është duke u bërë më i rrezikshëm.

Forcat e grupit “Wagner” janë akuzuar se operojnë në disa shtete afrikane, përfshirë Libinë, Malin dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Ata, gjithashtu, e kanë udhëhequr përpjekjen e Rusisë për ta marrë qytetin ukrainas, Bakhmut, raporton agjencia “Reuters”.

Shefi i grupit famëkeq, Yevgeny Prigozhin, ka reaguar me shprehje fyese ndaj ministrit italian, duke e quajtur “mudak”, fyerje e rëndë në gjuhën ruse.

“Crosetto duhet të shikojë më pak në drejtime të tjera dhe të merret me problemet e veta, të cilat ndoshta ai ka dështuar që t’i zgjidhë. Ne nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë është duke ndodhur me krizën e migrimit, nuk jemi duke u marrë me të. Kemi shumë probleme tonat për t’u marrë me to”- tha ai.

Mediet raportojnë se ministri italian nuk i ka ndryshuar masat e sigurisë për veten.

Related posts