
Atentat i mirëmenduar ka ndodhur këtë pasdite rreth orës 16:10 në një lokal në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku ka mbetur i vrarë 35-vjeçari Erion Çela dhe janë plagosur katër të tjerë, mes tyre edhe kamarieri.
Autori ka qëlluar jashtë lokalit drejt një tavoline ku po konsumonin kafenë katër të rinj, viktima Erion Çela dhe tre të afërm të tij, vëllai, daja dhe një person tjetër.
Të plagosur kanë mbetur 46-vjeçari Arben Dani, vëllai i viktimës, 28-vjeçari Blerim Çela, në këmbë dhe fytyrë, daja i viktimës 41-vjeçari Edmond Crroj dhe 19-vjeçari Azbi Selimaj, kamarier në lokal, i dëmtuar në shpatull.
Sipas informacioneve, daja i viktimës rezulton me precedent penal për drogë në Itali.
Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, që kanë rrethuar skenën e krimit. Zona, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë është ndër më të populluar në kryeqytet. Pritet që dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë të lokalit të ndihmojnë për identifikimin e autorit/ autorëve.
Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”, me targa të vjedhura.
Që me nisjen e Vitit të Ri, nuk kanë munguar përplasjet e armatosura dhe sulmet e organizuara në vend.
Në 3 janar, 34-vjeçari Vinces Nikoll Piroli mbeti i plagosur në Shkodër, pasi u qëllua me armë zjarri.
Ai u dërgua në spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar, pasi ka marrë 3 plumba. Piroli, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi akuzohej se bashkë me Dorian Lalën kishin vrarë për hakmarrje malazezin, Momçillo Gjurishiç, po ecte në këmbë tek Ura e Bunës, kur u plagos me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Një tjetër incident, fatmirësisht pa të lënduar u shënua dhe në Vlorë. Në lagjen Hajro Çakërri një automjet i cili i përkiste Bernard Sinomataj, shpërtheu në vendin ku ishte parkuar, pasi iu vendos një sasi lënde shpërthyese. Automjeti ka shumë kohë i parkuar pasi pronari i mjetit prej kohësh ndodhet jashtë shtetit.
