Vrasja e një oficeri policor dhe plagosja e dy të tjerëve nga një formacion ushtarak i përbërë prej së paku 30 pjesëtarëve të armatosur rëndë në rrethinën e Manastirit të Banjskës në Zveçan ka përshkuar nëpër mediat më prestigjioze ndërkombëtare. Media si BBC, Associated Press, Le Monde, Reuters (e të tjera) kanë raportuar në detaje për paraqitjen famëkeqe të këtij grupi militar ende të paidentifikuar.
BBCe nisi raportimin me deklarimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se tashmë forcat e rendit dhe ligjit kosovar kanë rrethuar perimetrin e vendndodhjes së 30 pjesëtarëve të armatosur ku edhe ka kërkuar dorëzimin e tyre.
“Ne mund të shohim njerëz të armatosur me uniforma…ata po qëllojnë mbi ne dhe ne po qëllojmë”, tha zyrtari i policisë së Kosovës Veton Elshan për agjencinë e lajmeve AFP përmes telefonit nga Banjska.
BBC shkruan edhe se shteti i Serbisë ende nuk e ka komentuar këtë ngarje.
Paqeruajtësit e NATO-s janë “të gatshëm të përgjigjen nëse kërkohet” në veri të Kosovës dhe po “punojnë intensivisht për të gjetur një zgjidhje” për trazirat, e citon BBC, KFOR-in.
Edhe media prestigjioze franceze “Le Monde” raportoi gjerësisht mbi ngjarjen duke cituar qeverinë kosovare rreth vrasjes së policit Agim Bunjaku.
Në një konferencë për media me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ai shtoi se rreth 30 persona të armatosur janë strehuar në një manastir dhe janë të rrethuar nga policia në Kosovë. “Janë të paktën 30 profesionistë, ushtarë apo policë të armatosur, të cilët aktualisht janë të rrethuar nga forcat tona të policisë dhe të cilët i ftoj të dorëzohen”, e citoi “Le Monde”.
Gjithashtu ka raportuar edhe Voice of America ku shkroi se “një polic u vra dhe një tjetër u plagos në veri të Kosovës të dielën herët, sipas autoriteteve, gjatë një sulmi të armatosur ndaj një patrulle teksa po i afrohej një rruge të bllokuar pranë kufirit me Serbinë”.
Reuterska raportuar se persona të armatosur kanë vërshuar një fshat në Kosovë në një manastir serb ku është vrarë një polic.
“Një grup prej rreth 30 burrash ‘të armatosur rëndë’ hapën zjarr ndaj policisë së Kosovës në një fshat të Kosovës veriore herët të dielën, duke vrarë një polic, dhe të njëjtët njerëz të armatosur sulmuan gjithashtu një manastir ortodoks serb aty pranë në dhunën e parë të tillë të madhe rajonale që nga maji. thanë zyrtarët e Kosovës”, ka shkruar Reuters.