970×90
970×90

Vrasësi i Heshtur i njeriut është-Ankthi

Vrasësi i Heshtur i njeriut është-Ankthi

Shkruan: Indira Hoxha

 

Vrasësi i Heshtur i njeriut është-Ankthi Koncepti i ankthit është i vështirë për t’u përkufizuar, por sipas studimeve, ankthi është një ndjenjë mërzie, tensioni, frike, dhe shqetësimi për të ardhmen. Ai ka një lidhje të ngushtë me frikën dhe në thelb ka frikën e papërcaktuar. Ankthi dhe frika janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe ende nuk është aq i qartë dallimi që ekziston midis tyre, për herë të parë, u përpoqëm ta gjenim dallimin midis tyre. Sipas kësaj, ankthi lidhet me një gjendje psikologjike që nuk shoqërohet me vëmendje të veçantë ndaj objektit frikësues, ndërsa tek frika, vëmendja është tërësisht e përqendruar tek ky objekt. Objekti i frikës, është real dhe përgjithësisht i njohur prej vetë përsonit, ndërsa origjina e ankthit në përgjithësi është e paqartë dhe pothuajse e papërcaktuar prej tij. Personat që përjetojnë ankth, nuk kanë një ide të qartë për shkakun real të ankthit. Ata përfshihen nga ndjenja absurde. Në të shumtën e herëve, personat për të përshkruar gjendjen e ankthit përdorin fjali si: kam një “lëmsh” në stomak, kam një boshllëk, kam një ndjenjë që nuk di ta them se çfarë është … etj. Këto të fundit, janë disa nga fjalitë që personat shprehin gjatë gjendjes së ankthit. Ankthi është një ndjenjë e vështirë për t’u përshkruar me fjalë, është i vështirë të kuptohet edhe nga vetë individi e aq më pak kuptohet nga personat e tjerë, e për këtë mund të emërtohet vrasës i heshtur, sepse përsoni e ka te vështirë të tregojë gjendjen që përjeton në realitet. Ai ndjen një ngarkesë e shqetësim brenda vetes e nuk gjen fjalë të përshtatshme për të përshkruar këtë gjendje. Për këtë arsye, është mirë dhe e nevojshme, përsoni që përjeton ankth të konsultohet me një psikolog, psikiatër e me përsona që janë kompetentë. Mirëpo, edhe pse ankthi nuk është një çrregullim që duket shumë nga jashtë, është po ai që e vështirëson punën, pengon për të parë anët pozitive të gjërave, dhe që e kufizon veprimin e përsonit. Të kesh ankth, nuk është diçka nga e cila njeriu duhet të ketë turp, sepse ai nuk është diçka që dikush dëshiron ta përjetojë. Askush nuk është imun ndaj tij, pak më shpesh apo pak më rrallë, e përjetonë këtë gjendje, një gjendje ankthi, edhe përsonat e pasur, e famshëm, e pashëm dhe të zgjuar. Ndaj, është shumë e rëndësishme që individi ta pranojë faktin se është duke përjetuar një gjendje ankthi, pasi ai mund të trajtohet. Sa më shpejt të trajtohet, një përson me çrregullime të ankthit, aq më shumë ka gjasa për t’u përmirësuar. Ankthi është një rrëmbyes i vëmendjes, ai mund të na shpërqendrojë nga gjërat që ne vlerësojmë më tepër dhe është një kufizues i jetës sonë. Është i mundimshëm dhe e bën individin të ndjehet i dërrmuar. Një individ që vuan nga gjendja e ankthit mund të ndjejë sikur e tërë jeta e tij është e rrethuar nga një shtëllungë elektrizuese. Ankthi përcaktohet si një tmerr pa emër, pa formë dhe misterioz. Mund të jetë shprehje domethënëse e konflikteve të përsonalitet.

Related posts