
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Sipas njoftimit të KQZ’së, deri sot në orën 16:00, janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme, shkruan Reporteri.net.
Aktualisht, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë.
“Procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar. Pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas komunave, të cilave u takojnë votuesit e regjistruar, brenda një kohe të shpejtë do të shfaqen në platformën https://rezultatet2025.net”, thuhet në njoftimin e KQZ’së.
Nga përditësimi i fundit i bërë nga Komisioni Qendror Zgjedhor në platformën “Rezultatet2025.net”, nga 124 vendvotime të numëruara të votimit me postë në diasporë, nga 188 sa janë gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë e para me 52.72 për qind.
Nga 66.31 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë deri tani 21 mijë e 234 vota me posta.
Në vend të dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 12 mijë e tri vota me postë, apo 29.80 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës nga votat e numëruara deri tani, ka marrë tre mijë e 213 vota me postë, apo 7.98 për qind.
Koalicioni AAK-NISMA nga 66.31 për qind të vendvotimeve të numëruara ka marrë një mijë e 338 vota me postë.
Kryetari i Vetëvendosjes, njëherit kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka marrë 20 mijë e 273 vota me postë në diasporë.
Lumir Abdixhiku i LDK-së ka marrë 10 mijë 858 vota.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza deri tani numëron dy mijë 901 vota.
Ndërsa ai AAK-NISMA, Ramush Haradinaj ka marrë deri tani një mijë e 147 vota me postë.