Çitaku, në një konferencë për media, tha se PDK i jep mbështetjen e plotë organeve të drejtësisë, të cilat kanë marrë përsipër zbulimin e keqpërdorimeve milionëshe në këto tri vitet e fundit në fushën e energjisë.
“Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë, nën vëzhgimin e të cilëve kanë ndodhur skandalet, nuk kanë dhënë dorëheqje. Prandaj, sot, Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë, nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha të cilat ende kërkojnë përgjigje: energjia, rezervat shtetërore, mos-deklarimet e pasurisë, skandalet diplomatike etj”, tha ajo.
Sipas Çitakut, arrestimi i Nagip Krasniqit është maja e një ajsbergu, në të cilin i kanë rrënjët thellë eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, që i ngjason një “Mafie Energjetike”.
“Mos të harrojmë, në periudhën kur kjo Qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike për 100 për qind qytetarëve tanë, janë dy miqtë e mirë të Kryeministrit Kurti, të cilët erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, si të dyshuarit kryesorë në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv, me tregtim të energjisë”, theksoi ajo.
Çitaku rikujtoi rastet e shumta të keqpërdorimeve nga pushteti aktual dhe ngritjes së aktakuzave ndaj zyrtarëve të tij, duke thënë se para ligjit dhe drejtësisë, askush nuk guxon të jetë i paprekshëm.
“Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres së vendit, Donika Gërvallës. Tani, na thoni, si mund ta quajmë ndryshe një pushtet, përveç se korruptiv, për të cilin nuk kalon asnjë muaj pa një skandal të madh të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Edhe një herë, mos harroni: Të gjithë këta njerëz, edhe shumë të tjerë të cilët kanë defiluar gjatë këtyre viteve nëpër lajmet e skandaleve, asnjë nuk ka dhënë llogari”, tha ajo.