970×90
970×90
970×90
970×90

Vjosa Osmani takohet me liderët evropianë

Vjosa Osmani takohet me liderët evropianë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë gjithë së enjtes ishte pjesë e punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Granadë të Spanjës. Ajo thotë se ditën e ka shënuar me diskutime konstruktive me aleatët ndërkombëtarë, ku në qendër ka qenë gjendja e sigurisë në vend pas sulmit terrorist të Serbisë në Zveçan, që la të vdekur një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

“Diskutime të rëndësishme me aleatë dhe partnerë të Kosovës rreth situatës së sigurisë pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë, si dhe për fuqizimin e aleancave tona në përballje me sfidat aktuale”, ka njoftuar Presidentja Osmani përmes një albumi të fotografive ku ka përmbledhur takimet me liderët evropianë.

Shefja e shtetit, mes të tjerëve, është takuar me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz; Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis; Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez; Presidentin e Francës, Emanuel Macron; Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak; Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel; Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, e Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Para se të nisnin zyrtarisht punimet, Osmani është deklaruar për mediat ku ka thënë se refuzon të takohet me presidentin serb Vuçiq, i cili po ashtu ishte prezent në Samit, pa u sanksionuar njëherë Serbia.

Ajo ka thënë se ajo çka ndodhi më 24 shtator është kryekëput urdhër i lidershipit serb.

“Nuk kemi takime të konfirmuara. Nuk ka arsye për t’u takuar para se sanksionet të miratohen ndaj Vuçiqit. Së pari sanksionet dhe pastaj mund të flasim për dialog”, ka deklaruar Osmani.

Së fundmi, Presidentja Osmani, ka shkuar edhe në takimin joformal që ka organizuar kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ku janë mbledhur të gjithë liderët që ishin pjesë e këtij samiti. Osmani ishte e shoqëruar nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu.

Related posts