970×90
970×90

Vjosa Osmani mban inat me Edi Ramën? Asnjë i pranishëm nga Qeveria e Shqipërisë në Forumin për Gratë

Vjosa Osmani mban inat me Edi Ramën? Asnjë i pranishëm nga Qeveria e Shqipërisë në Forumin për Gratë

Një Forum për Gratë, që mbahet në datat 22-23 tetor, do të mbledh në Prishtinë qindra politikanë, aktivistë, e zyrtarë nga 36 shtete. Të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, ata do të flasin për gjatë dy ditëve për rolin e grave në politikën ndërkombëtare. Sipas agjendës zyrtare, në mesin e 400 të ftuarve nga 6 kontinente, nuk është asnjë nga Qeveria e Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë.

Nuk dihet arsyeja e mungesës së zyrtarëve nga Qeveria Rama, e cila, në fakt, ka më së shumti gra në kabinetin e saj në Ballkanin Perëndimor. Për më shumë, me ftesë të presidentes Osmani, në këtë forum do të mbajë një fjalim Grida Duma, një nga deputetet më të ashpra opozitare karshi qeverisjes së kryeministrit Rama.

Natyrisht, vendet e rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia e Veriut do jenë të pranishme, madje përfaqësuesit e tyre do të mbajnë edhe fjalë rasti në këtë ngjarje që organizohet për herë të parë në Kosovë.

Nga Maqedonia e Veriut pjesëmarrës ështe zëvendeskryeministri Artan Grupi, që pritet ta mbajë nje fjalim, ndërsa nga Mali i Zi, zëvendëskryeministrja Jovana Marovic.

Mungesa në Agjendë

Duket se afërsia gjeografike mes Kosovës e Shqipërisë nuk ka luajtur ndonjë rol pozitiv. Çarja, së paku deklarative, mes presidentes Osmani dhe kryeministrit shqiptar Rama duket të jetë më e thellë se afërsia mes dy vendeve.

Distanca e “zemrave” duket ta ketë mposhtur afërsinë gjeografike.

Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, sipas informacioneve zyrtare, do të marrin pjesë 400 personalitete nga 6 kontinente, përfshirë Kosta Rikën e Sri Lankën e largët. Përgjatë dy ditëve, në Forum do të flasi 126 pjesëmarrës, por asnjëri nga ta nuk do të jetë nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama.

Gazeta Nacionale ka pyetur Presidencën e Kosovësnëse është ftuar kryeministri Rama për të qenë pjesëmarrës në këtë Forum ose ndonjë zyrtar tjetër i Qeverisë së Shqipërisë.

Tutje, Nacionale ka pyetur nëse ka pasur ftesë, a është refuzuar e njëjta nga Rama dhe Qeveria e Shqipërisë. Në përgjigjën e tij, Bekim Kupina, një ish-gazetar që tash është zëdhënës i Kabinetit të Presidentes Osmani, theksoi se agjenda do të publikohet, duke shtuar se “janë ftu disa nga Shqipëria dhe marrin pjesë”.

I njëjti nuk dha asnjë përgjigje në pyetjet e Nacionales, përkundër që shkroi se do i duhet ta konfirmojë. Nuk dihet nëse z.Kupina ka harruar ta konfirmojë, por ish-gazetari zëdhënës nuk ktheu ndonjë përgjigje tjetër nga ajo fillestarja.

Le t’i kthehemi agjendës së cituar nga zëdhënësi i presidentes. Në këtë agjendë, ZERO është numri i pjesëmarrësve nga Qeveria Rama.

Në agjendën zyrtare, të publikuar në uebfaqen e Forumit, janë të rënditur shumë emra, përfshirë edhe disa nga Shqipëria. 4 personalitete janë të ftuara Shqipëria, përfshirë deputeten e PD-së, Grida Duma dhe Manushaqe Shehun, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresë të Qeverisë Rama për të pyetur nëse kanë pasur ftesë, dhe nëse është refuzuar ftesa për të marrë pjesë në këtë nismë të presidentes Osmani.

Deri në momentin e botimit të shkrimit, nuk ka pasur ndonjë përgjigje.

Hakmarrje?

Presidentja Osmani ditë më parë ishte e ashpër, shumë e ashpër me Edi Ramën, liderin e Partisë Socialiste, që udhëheq Shqipërinë që tri mandate.

Në një intervistë për VOA-n, Osmani deklaroi se Rama po ia shpëtonte fytyrën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq.

“Unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në ‘spastrim etnik’, pasi ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë”, tha zonja Osmani javë më parë.

Madje, shefja e shtetit tha se raportet personale mes politikanëve janë të parëndësishme, duke vlerësuar se Rama po i minimizonte krimet e luftës në Kosovë.

“Është publik qëndrimi i tij ku i quan krimet në Kosovë thjesht spastrim etnik, kurse ato në Bosnje gjenocid, kur, në fakt, ju e dini shumë mirë se edhe gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ICTY-në, kanë vendosur që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dhe, ne jemi të bindur që do të dëshmohet shumë shpejt edhe gjenocidi i kryer në Kosovë, sepse qëllimi i Serbisë nuk ka qenë thjesht t’i dëbojë kosovarët, qytetarët shqiptarë nga Kosova. Qëllimi ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës”, tha Osmani.

Kujtojmë që komandantja supreme Osmani ka qenë e “ftohtë” karshi nismës së Ramës për një rezolutë të re në Këshilin e Evropës kundër raportit të Dick Martyt.

Related posts