Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani ka demantuar akuzat e Grupit Parlamentar të AAK-së, se ka ndryshuar marrëveshjen për demarkacion nga ky komision.
Osmani, ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” se teksti i njëjtë i marrëveshjes është lexuar dy herë në mbldhjen e sotme të komisionit dhe si i tillë është votuar nga të gjithë anëtarët e këtij komisioni që ishin prezent, përfshirë edhe anëtarën e AAK-së Time Kadrijaj.
“Ne kemi vendosë në votim tekstin e njëjtë që na është dërguar nga propozuesi. Pra tekstin që është propozuar nga Avduallah Hoti në seancë. z. Hoti mund t’ua konfirmojë që pikërisht ky është teksti i dakorduar me partitë tjera. Në komision nuk kemi ndryshuar asnjë pikë të vetme. Po ai tekst është lexuar në komision dy herë dhe është votuar nga të gjithë që ishin prezent, përfshirë përfaqësuesen e AAK-së”, tha Osmani.
Ndryshe, sipas një njoftimi që u ka dërguar mediave, AAK thotë se Komisioni për Punë të Jashtme me apo pa vetëdije e ka ndërruar renditjen pikave të dakorduar në marrëveshjen arritur ditë më parë.
“Nê tekstin që ka dalë nga ky Komision, jo vetëm që është ndërruar renditja e pikave të dakorduara, por Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror, është renditur si pikë e fundit dhe jasht Pjesës përbërëse të këtij ligji!
Është e papranueshme nëse dikush në këtë fazë, me ose pa vetedije, e rrezikon votimin e një marrëveshjeje të dakorduar.
Prandaj ky është alarm për të gjithë protagonistët e kësaj marrëveshjeje, që të mos bëjnë kalkulime politike, por t’i përmbahen pikë për pikë asaj! Në të kundërtën rrezikohet që gjithçka të kthehet në pikën ZERO”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Partitë në pushtetë të shtunën e kaluar kishin arritur marrëveshje me LDK-në për votimin e demarakcionit. Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të tretë sot që të hedh në votim marrëveshjen për demarkacion, në mungesë të votave të mjaftueshme. Për ratifikimin e demarkacionit nevojiten 80 vota. /Gazeta Blic/