![Vjen reagimi i parë nga KFOR-i për kidnapimin e tre policëve kosovarë](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/06/8E1BF5F5-1826-4233-86A7-153CDE709845.jpeg)
KFOR-i nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur siç e kanë cilësuar ata arrestimi i tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, nga forcat e Serbisë.
Në përgjigjen e tyre thuhet se KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhet në përgjigje.
KFOR-i, nuk ka dhënë përgjigje apo ndonjë vlerësim në lidhje se ku u arrestuan zyrtarët policorë të Kosovës.
Ata kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet dhe të “përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”.