970×90
970×90
970×90
970×90

Vetëvendosje po manipulon me aktgjykimin e Kushtetueses, Presidenti udhëheq me politikën e jashtme

Vetëvendosje po manipulon me aktgjykimin e Kushtetueses, Presidenti udhëheq me politikën e jashtme

Kushtetuta e Kosovës e përcakton shumë qartë ndarjen e pushteteve në vendin tonë. Po ashtu, ajo është shumë e qartë e bënë edhe në ndarjen e kompetencave për politikën e jashtme.

“Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme të vendit” – thotë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 84, pika 10.

Duke u thirrur në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, e cila për materie gjykimi kishte kompetencat e Qeverisë së Kosovës dhe kompetencat e ish Ekipit Negociator, bazuar në Ligjin për Dialogun të hartuar asokohe, por jo edhe kompetencat e presidentit, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarë të Qeverisë Kurti po përpiqen të manipulojnë me publikun.

Ky aktvendim i Gjykatës Kushtetuese ishte ekskluzivisht kundër Ligjit për Dialogun dhe as që e kishte trajtuar rolin dhe funksionin e presidentit, përveçse kalimthi ndërlidhjen e funksionit të qeverisë me funksionin e presidentit si udhëheqës i politikës së jashtme, shkruan Periskopi.

Për më tepër, edhe vetë ministrat e Qeverisë së Kosovës, bazuar në Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, obligohen që të marrin autorizim nga presidenti për nënshkrimin e ndonjë marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhet me dikasteret e tyre qeveritare.

Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës, ndër të tjera, bazohet mjaft qartë në ndarje të pushtetit.

Neni 4 i Kushtetutës së Republikën e Kosovës, përcakton formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit.

Kuvendi si përfaqësues i popullit, sipas paragrafit 2 të nenit 4 të Kushtetutës, është në të njëjtën kohë edhe organi më i lartë, i cili ushtron pushtetin legjislativ.

Kurse, sipas paragrafit 3 të nenit 4 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit, si dhe është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe sipas paragrafit 4 të nenit 4 të Kushtetutës, Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar nga ana e Kuvendit.

Në një version më të thjeshtuar, këto janë kompetencat e Kuvendit, Presidentit, Qeverisë dhe Kryeministrit në politikën e jashtme:

1. Kompetencat e Kuvendit: Kuvendi i Republikës së Kosovës mbikëqyr politikën e jashtme;

2. Kompetencat e Presidentit: Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme të vendit;

3. Kompetencat e Qeverisë: Qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme të vendit (i propozon ambasadorët, por është presidenti si udhëheqës i politikës së jashtme ai që i emëron dhe shkarkon, kurse qeveria vetëm zbaton teknikisht politikën e jashtme përmes MPJ-së dhe ambasadave);

4. Kompetencat e Kryeministrit: Kryeministri këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit (do të thotë roli i kryeministrit në politikën e jashtme është teknik dhe këshillohet për ta zbatuar politikën e jashtme, sepse nuk udhëheq me politikën e jashtme dhe kjo nënkuptohet edhe për shkak që ai nuk mund të emërojë ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm, që janë niveli më i lartë i përfaqësimit diplomatik, sepse kjo është kompetencë e presidentit).

Siç konfirmohet në mënyrë shumë të qartë edhe në Pikën 89 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin Nr. KO43/19:

“Në lidhje me përfaqësimin e jashtëm të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj kushtetuese, Gjykata rithekson detyrimin e institucioneve në fjalë, përkatësisht të Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë, që kompetencat e tyre në politikën e jashtme t’i ushtrojnë brenda mandatit të tyre kushtetues. Kjo nënkupton, para se gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që ka institucioni i Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë për të ushtruar kompetencat e tyre brenda frymës dhe shkronjës së Kushtetutës.”

Për të vazhduar më tutje në Pikën 101 të po të njëjtit aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese:

“Sidoqoftë, Gjykata thekson se institucionet kushtetuese i kanë detyrat dhe kompetencat konkrete të përcaktuara me Kushtetutë. Çfarëdo krijimi i ndërvarësisë të përcaktuar me ligj, për miratim të dyanshëm e cenon kompetencën dhe mandatin e institucioneve kushtetuese, ashtu siç është e paraparë me Kushtetutë.”

Pa harruar këtu faktin që, siç edhe rithekson Gjykata Kushtetuese në pikën 69 të Aktgjykimit në rastin Nr. KO43/19 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës: “në kuadër të sistemit juridik kushtetues të gjitha normat tjera iu nënshtrohen epërsisë së normës kushtetuese. Gjykata vlerëson që, kur një materie është e përcaktuar me Kushtetutë, ajo nuk mund të ndryshohet, minohet, apo transformohet përmes një akti me fuqi më të ulët juridik sikurse që është ligji. Bazuar në epërsinë e normës kushtetuese, Gjykata rikujton se të gjitha aktet tjera juridike duhet të jenë në pajtim me të”.

Related posts