
Dega e Vetëvendosjes në Junik ka lëshuar një komunikatë për media ku ka sqaruar pozicionin e saj sa i përket bashkëpunimit me LDK-në për bashkëqeverisje në këtë komunë ku sipas tyre nuk ka koalicion me LDK-në, shkruan Gazeta Projekti.
Sipas komunikatës disa persona kanë bërë marrëveshje private me kryetarin aktual të cilët janë në masë diciplinore.
Lajmi i plotë:
INFORMIM PËR OPINION PUBLIK
Të nderuar qytetarë të Komunës së Junikut, aktivistë, përfaqësues të mediave dhe më gjerë,
Për shkak të shumë pyetjeve që na u janë drejtuar ditëve dhe javëve të fundit, ndjehemi të obliguar që me anë të kësaj komunikate, të ju njoftojmë që Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Junik nuk ka asnjë marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës dega në Junik.
Ne kishim nënshkruar një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dega në Junik, për të cilën ishim në pritje të miratohej nga Niveli i Tretë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mënyrë që të zyrtarizohej. Sipas statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që një marrëveshje koalicioni të jetësohet ajo duhet të miratohet nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes, siç e ka potencuar edhe Sekretari për Media dhe Komunikim njëherit anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, z.Arlind Manxhuka.
Gjatë kësaj kohe sa ishim në pritje të miratimit të marrëveshjes së koalicionit, ne jemi njoftuar nga Kryetari i Komunës se ka bërë marrëveshje private me dy nga tre asambleistët tonë si dhe me ish-kandidatin tonë për Kryetar Komune. Ndaj këtyre individëve është iniciuar rast në Komisionin Disiplinor të Lëvizjes për përjashtimin e tyre, për arsye të shkeljes së Statutit dhe mosrespektimit të vendimeve të Grupit Punues.
Poashtu, duam të ju njoftojmë që drejtorët komunalë si dhe Nënkryetari i Komunës, të emëruar kinse në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk e përfaqësojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
Ju faleminderit!