![Vetëvendosje në Junik ngrit qështjen e ujit të pijes në Lagjen Agim Ramadani, ministrja thotë se nuk ka ankesë nga Komuna e Junikut](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/04/4A243D2D-0BBD-43D9-883C-9D30A9EF98B6.jpeg)
Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Junik, Jetmir Tofaj ka njoftuar se kanë adresuar në nivelin qendror çështjen e ujit të pijes në lagjen “Agim Ramadani”. Kjo çështje u diskutua edhe sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku deputeti Agon Batusha nga LVV, i drejtoi pyetjen parlamentare ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli në lidhje me lagjen “Agim Ramadani” në Junik, e cila furnizohet me ujë nga burimi i quajtur ‘Shkozë”.
Deputeti tha se ky ujë është i një cilësie jo të mirë krahasuar me ujin me të cilin furnizohet pjesa tjetër e komunës së Junikut dhe pas ndonjë vërshimi qoftë edhe i lehtë, turbllohet ku si për rrjedhojë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, banorët janë rekomanduar që ta vlojnë ujin para përdorimit.
Deputeti tha se pjesë të tjera të Junikut furnizohen me ujë më të mirë kurse lidhja e kësaj lagjjeje me pjesë të tjera për furnizim me ujë, ka qenë premtim elektoral i fushatës zgjedhore komunale, por i pa realizuar.
Poashtu, z.Batusha potencoi se duke parë papërgjegjëshmërinë e nivelit komunal për këtë problem, kërkon të dijë nga ministrja se cila është mundësia që ky problem të zgjidhet nëpërmjet Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidro Drini”.
Nga ana e saj, ministrja Rizvanolli tha se kjo çështje është adresuar me manaxhmentin e lartë të KRU “Hidro-Drini”, por këta të fundit kanë deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjnë ankesë zyrtare për cilësinë e ujit në lagjen “Agim Ramadani” në Junik.
“Megjithatë, ‘Hidro-Drini’ ka paraparë për vitin 2023, buxhet në vlerë prej 83 mijë euro për rehabilitimin e ujësjellësit në tri komuna, Istog, Klinë e Junik”, tha ministrja Rizvanolli.
Sipas saj, tenderi parashihet të hapet me 1 qershor dhe aty parashihet edhe rehabilitimi i ujësjellësit për lagjen “Agim Ramadani” në Junik.