970×90
970×90

Veteranët e UÇK-së: Nëse nuk rriten pensionet, i bllokojmë hyrje-daljen në Qeveri Kurtit

Veteranët e UÇK-së: Nëse nuk rriten pensionet, i bllokojmë hyrje-daljen në Qeveri Kurtit

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës kanë paralajmëruar Qeverinë e Kosovës për pasoja nëse nuk rriten edhe pensionet e tyre me pagën minimale.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë për gazetën Nacionale që nëse kjo kategori përjashtohet nga rritja e pensioneve, ata do të dalin në rrugë për ta bllokuar Qeverinë e Kosovës.

Ai ka bërë me dije se me mosrritjen e pensionit për veteranët, Qeveria po e shkel ligjin aktual.

“Nëse nuk rriten pensionet e veteranëve me rritjen e pagës minimale, shkelet ligji. Qeveria nuk mund të propozojë ndryshime, kur e kemi një ligj që është i miratuar për ndryshimin e ligjit, i cili nuk është futur në fuqi pa u kategorizuar kjo kategori. Këta mund të bëjnë edhe ligje të reja, mirë, neve na qesin në rrugë dhe ia zëmë derën kryeministrit. Ja nuk e lejojmë me hy brenda, ja nuk e lejojmë me dalë jashtë”, ka thënë Klinaku.

I pari i veteranëve ka treguar se veprimet e qeverisë do të kontestohen edhe në gjykata.

“Secili është i lirë të na bashkëngjitet në protestë, qoftë z. Haradinaj, qoftë partitë e tjera, veteranët, shoqëria civile, dhe çdokush tjetër, sepse kjo qeveri e ka tepruar. Këta mund të bëjnë lojëra, por ne përveç se do t’i shfrytëzojmë rrugët ligjore, duke e dërguar qeverinë në Gjykatë Kushtetuese, sepse bëhen shkelje të ligjeve, por edhe do të dalin në demonstrata për ta penguar shkeljen e ligjit”, ka thënë Klinaku.

Ai ka treguar se këtë çështje ia kanë bërë me dije edhe kryeministrit, në takimin që e kanë pasur muajin e kaluar.

“E kemi diskutuar dhe i kemi treguar që në zyre që mos i shkel ligjet, sepse gjatë fushatës premtimet i ke dhënë se ‘do t’ua rris pensionet veteranëve’, duke i mashtruar për vota. Ndërsa, tash tenton të mos i rritë. Ne i kemi treguar në zyre se për këtë çështje do të na kesh në rrugë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se kjo çështje ka mbetur të diskutohet.

“Nuk ka përfundu komplet takimi, sepse ishte situata kur serbët organizuan protestë dhe lëshun vendet e punës. Ka mbetë me vazhdu takimi. Dhe përsëri, sikurse herën e kaluar, është duke na injoruar, sepse ka mbetur të na thërrasë për të vazhduat takimin, të cilin nuk e kemi përfunduar”, është shprehur Klinaku.

Qeveria po mashtron

Një ditë më parë, Qeveria ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Ky projektligj, sipas Qeverisë, ndryshon dhe plotëson edhe Ligjin për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 05/L-141.

Por, i pari i veteranëve nuk pajtohet me këtë nismë të Qeverisë.

Ai ka bërë me dije se qeveria dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, po mashtrojnë kur po thonë se do ta ndryshojnë Ligjin për Kategoritë e Luftës.

“Kjo është një qeveri që po tenton ta mashtrojë opinionin, ndërsa ministri mashtrues nuk po e sheh komplet ligjin, por vetëm një nen. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit me nr. 04L141 që ndryshon ligjin aktual, që është në fuqi, tregon se pensionet e veteranëve rriten me pagën minimale. Dikur Vetëvendosja e ka kundërshtuar këtë ligjin e ri, duke e dërguar si çështje në Gjykatë Kushtetuese. Ndërsa tash po mashtron prapë me Gjykatën Kushtetuese, kur po thonë se është  hequr neni, sepse Gjykata Kushtetuese nuk mund të ndryshojë ligje dhe të heq nene, por vetëm ka konstatuar që një nen është në përputhje me Kushtetutën dhe një tjetër jo. Pastaj, është dashur që këtë çështje ta rregullojë Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria, të cilën gjë nuk e kanë bërë asnjëherë”, ka thënë Klinaku.

Ai ka treguar se Ligji nr. 05/l -141 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l -261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili parasheh që pensioni i veteranit nuk mund të tejkalojë 0.7% të Bruto-Prodhimit Vendor në vit, nuk mund të zbatohet pa u bërë kategorizimi i veteranëve.

“Ligjin e ri ku flitet për kategorizimin e veteranëve, decidivisht thuhet në nenin 16 pika 3.1 se nuk mund të futet në fuqi ky ligj para se të bëhet kategorizimi përfundimtar. Ndërsa, ka katër vite e gjysmë që kategorizimi nuk ka filluar, anipse e kanë pasur obligim të formojnë komisionin për kategorizim. Qeveria është duke e mashtruar, sepse po e shohin vetëm një nen dhe nuk po e shohin kompletin ligjin, se nuk mund të futet në fuqi pa u bërë kategorizimi. Domethënë, vetëm ligji i ri e heq nenin e ligjit të vjetër, i cili pensionin e lidh me pagën minimale”, ka thënë Klinaku.

Sipas tij, nëse kategorizimi i veteranëve do të bëhej me kohë, kjo kategori sot do të kishte pensionin më të mirë.

“Po të ishte në fuqi ky ligj që katër vjet, nuk do të mbeteshin pensionet 170 euro. Sepse me ligj është se mbi bazën e 0.7 për qind të GDP-së të shkojë për çështje te pensioneve, ndërsa ju e dini se në këto 4 vjet është rritur GDP-ja”, është shprehur ai.

Pavarësisht paralajmërimeve të veteranëve, Qeveria synon ta vazhdojë rrugën e saj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka konfirmuar se nuk do të ketë rritje të pensioneve për veteranët e luftës në Kosovë.

“Në vitin 2017, ka ndryshuar ligji për Veteranët, është votu në Kuvend. Është fshirë neni 18, që thotë se paga e veteranit përcaktohet me vendim të Qeverisë, por jo më pak se paga minimale. Ai vendim është fshirë. Kështu që, në projektligjin që ne kemi shtyrë përpara, për të qenë të sigurt juridikisht, kemi vendosur që paga minimale kudo që bëhet për skemat pensionale dhe sociale të bëhet kjo shkëputje, që të mos kemi këtë problem. Nuk qëndron kjo. Paga minimale është paga që paguhet për një ore në punë, skemat pensionale dhe sociale pastaj përcaktohen në bazë të meritës, kategorisë”, ka thënë Murati, një ditë më parë, në RTK.

Haradinaj në përkrahje të veteranëve

Ditë më parë, edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se do të jetë në përkrahje të veteranëve të UÇK-së nëse Qeveria e Kosovës nuk ua plotëson kërkesat.

Ai ka thënë se me pagën minimale duhet të ngritet edhe pensioni i veteranëve.

“I kam duruar të gjitha shpifjet e tij dhe të tyre, ka ndodhur një proces gjyqësor. Por mos luaj më shumë me këto kategori. Mos u tall me to. Ky është kërcënim publik dhe serioz. Po, mos bëj hajgare me këto kategori mo. Kthjellu një herë e përgjithmonë. Të kemi duruar se kemi pasur arsye tjera, por nuk të durojmë pa kufi. Kjo nënkupton se ne i dalim në rrugë dhe i tregojmë se a mund të hyjnë në zyre të vet mo nëse tallen me këto kategori”, ka deklaruar Haradinaj në RTV Dukagjini.

Haradinaj ka thënë se nëse nuk përfshihen kategoritë e lirisë në pagë minimale, edhe vetë ai do të dalë në rrugë për të protestuar kundër qeverisë.

“S’munden me i lënë këta pa i përfshi në këtë kriter të pagës minimale. Prokuroria ta gjejë nëse është fals një, le ta heq individin, por s’mundesh me i vonu ti këta, s’mund me i thonë këtyre s’mundemi me i përfshi kriter të pagës minimale se i keni listat e fryme, se atëherë ia fryjmë përnime përreth Qeverisë”, ka deklaruar Haradinaj.

Në projektligjin e miratuar nga Qeveria paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto. Prej kësaj rritje, pritet të përfitojnë rreth 300 mijë punëtorë në Kosovë.

 

Related posts