Në vitin 2015 në Kosovë u bënë disa reforma fiskale, u konstruktua një pako e re fiskale pjesë e së cilës ishin Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale, Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave si dhe Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa zbatimi i saj filloi në muajin shtator.
Risi me këtë pako të re fiskale ishte aplikimi për herë të parë në Kosovë i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në dy nivele- norma standarde prej 18 për qind dhe ajo e reduktuar me 8 për qind me qëllim te përfitimit të shportave familjare.
Në mbledhjen të qeverisë më 2 shtator të 2015-ës, një ditë pas hyrjes në fuqi të pakos fiskale, ish-kryeministri Isa Mustafa nuk kishte përmendur vetëm përfitimet biznesore dhe ekonomike.
“Nga pakoja fiskale, konkretisht nga ulja e pragut të TVSH-së, nga 16 në 8 për qind, përfitojnë gjithë qytetarët ose shportat familjare të qytetarëve që kanë të ardhura të ulëta dhe të ardhura të mesme”, tha Mustafa.
Kryeministrii atëhershëm shfaqi bindjen se pakoja mbron standardin e jetesës.
“Nuk përfitojnë ata që kanë të ardhura të larta, sepse struktura e mallrave që konsumohen është e tillë që është destinuar që të përfitojnë ata që kanë të ardhura me të ulëta dhe të mesme në mënyrë që të mbrohet standardi i jetesës, familjeve dhe të qytetarëve dhe po ashtu përfitojnë bizneset”, tha ai.
Por të dhënat që dalin nga një analizë e Gazetës Jeta në Kosovë treguan se pakoja fiskale jo vetëm se nuk ka arritur t’i ulë çmimet por mund të ketë rritur ato. Në nëntor të vitit 2016 Instituti GAP gjithashtu doli me një publikim-analizë ku thotë se Ligji i ri i TVSh-së po i varfëron qytetarët.
“Jep aty ku ka”
Për të varfrit nuk ishte as falja e borxheve. Nga Ligji për Faljen e Borxheve përfituan ata që kishin të ardhura të larta duke i lënë kështu rastet sociale në borxhe të pashlyeshme.
Po në shtator të 2015-ës hyri në fuqi edhe Ligji për Faljen e Borxheve. Sipas këtij Ligji qytetarët e Kosovës mund ta shlyenin borxhin deri në fund të vitit 2008 me kusht që nga viti 2009 deri në fund të vitit 2014 t’i kryenin obligimet e tyre.
Kufizimi i faljes së borxheve si duket ndikoi që familjet me të ardhura të ulëta të jenë vetëm vëzhguese të faljes së borxheve të të tjerëve.
Institutit GAP tha se nga Ligji për Faljen e Borxheve kanë përfituar njerëzit me të ardhura të larta, por jo edhe rastet sociale, ndërsa i rekomandoi Qeverisë së Kosovë që të falë me automatizëm borxhet për rastet sociale.
Në raportin e institutit GAP thuhet se borxhi total deri në fund të vitit 2008 ishte 584 milionë euro.
Sipas GAP-it janë falur rreth 56 për qind e borxheve që i takojnë periudhës deri në fund të vitit 2008 dhe janë inkasuar rreth 30 për qind e borxheve për periudhën 2009 deri 2014.
Gjithashtu, në konferencë u tha se për shkak të mosraportimit të saktë, shifrat për faljen e borxheve dhe atyre të mbetura ende nuk dihen.
Zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi tha se Ligji për Faljen e Borxheve nuk u ka dhënë mundësi të përfitojnë rasteve sociale.
“Ligji ka qenë i lidhun në dy faza, faza e shlyerjes tërësisht të borxheve deri në vitin 2008 dhe ka qenë kushti që të kryhen obligimet prej 1 janari 2009 deri me 31.12.2014. Ky është ai problemi që të rastet sociale nuk kanë mund me i shlye këto borxhe dhe nuk kanë mund të marrin atë benefit për fshirjen e borxheve deri me 31.12.2008”, tha Gashi.
Gashi deklaroi se duhet të bëhet një analizë për të shikuar se si mund t’u ndihmohet rasteve sociale në lidhje me borxhet.
Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas të cilave deri në vitin 2016 janë 26 mijë e 302 familje që marrin ndihma sociale.
Ky numër është rritur për 359 familje më tepër në krahasim me 2015-ën kur numri i familjeve të varfra ishte 25 mijë e 943.
Regjioni i Prishtinës numëron më shumë familje të varfra- mbi 7 mijë e 500 familje duke u renditur më pas regjioni i Mitrovicës mbi 5 mijë e 900 familje, përderisa nga regjionet tjera të Kosovë numri i familjeve që ndihmohen nga shtetit janë prej 2 deri në 3 mijë familje.