Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare ka qenë shumë i ashpër për rastin e fundit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, mësimdhënës të kolegjit “Mehmet Akif”, njëri ndër ta edhe drejtori i këtij kolegji dhe zëvendësdrejtori.
Ai ka thënë se lajmin e ka marrë nga familjarët e të arrestuarve.
“Kemi të bëjmë me mësimdhënës, ku shumica e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës i kanë pasur fëmijët në këtë shkollë. Edhe fëmijët e mi kanë qenë duke u shkolluar aty”, ka thënë Veseli.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se nuk e dinë ku i kanë dorëzuar ata njerëz.
“Nuk e dimë ku i kemi dorëzuar njerëzit. Jo ashtu qysh janë marrë sikurse me i kindapu. Imagjinojeni nëse i mbysin”, ka thënë Veseli.
Duke folur për lirimin nga detyra të ministrit të MPB-së, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së Driton Gashi, kryeparlamentari Veseli ka thënë se me të drejtë duhet të ecin nga këto pozita.