Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zgjedhur studiot e televizionit T7 për të folur për herë të parë, pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Veseli, njëherësh udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës, në emisionin “Pressing”, me Leonard Këqukin, ka shprehur optimizmin e tij se Bashkimi Evropian do të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.
“Jam shumë i bindur në partneritetin me BE’në”, ka thënë Veseli.
“Sot, qysh në mëngjes, në orën 9, të gjithë ambasadorët kanë qenë në Kuvend. Ky ishte mesazhi: se BE është me ne”, ka theksuar ai.
Veseli ka thënë se pret që deri në fund të këtij viti të liberalizohen vizat.
“Në fund të këtij viti, nga mesi i dhjetorit, mendojmë që do të përfundojë çështja e udhëtimit të lirë të kosovarëve pa viza”, është shprehur ai në T7.
Ai tha se këtë premtim e ka marrë nga përfaqësuesit e BE’së.
Veseli ka folur edhe për kushtin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai ka thënë se kjo është një sfidë me të cilën Kosova do të përballet në vazhdimësi.