Kryetari i Kuvendit, njëherësh, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot ka bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Gllogjan, duke shprehur nderim për 20 vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”.
Kjo rezistencë në Dukagjin, sipas Kryetarit Veseli, do të jepte shembullin e përkushtimit atdhetar që tashmë kishte hyrë në histori.
Ja postimi i plotë i Veselit:
“Para 20 vitesh, Gllogjani do të hynte në hartën e krenarisë së atdheut, pas “Epopesë së Jasharajve”, në Prekaz, duke dëshmuar se lufta për çlirim, nuk do të ndalej, madje, do të merrte hov.
Kjo rezistencë në Dukagjin, do të jepte shembullin e përkushtimit atdhetar që tashmë kishte hyrë në histori, duke ngjeshur radhët e luftëtarëve për liri dhe përkrahjen diplomatike që pas një viti do të fillonte me bombardimin e caqeve serbe nga NATO-ja.
Lavdi e përjetshme heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”