
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë kërkuar Kosovës që të heq taksën 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Veseli ka thënë se kjo taksë i ka bërë mirë Serbisë, dhe se e njëjta nuk do t’i dëmtojë raportet me ShBA’të.
“Unë s’kam mendim për këtë punë, veç qëndrim. I ka ba mirë Serbisë kjo taksë, sepse ka qenë shumë agresive dhe nuk e ka respektu Kosovën. Duhet me respektu Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Në gjithë jetën time politike ka veç një partner, dhe këta janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi vend perëndimor që kemi raporte të shkëlqyera me SHBA’në. Këto mesazhe i marrim shumë seriozisht. Partneriteti me SHBA’në do të jetë i përjetshëm. Ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë Kosovën në procesin për dialog, jo të hiqet taksa. Shqetësimet e SHBA’së janë edhe tonat”, ka thënë Veseli.
Veseli iu është kundërpërgjigjur edhe deklaratave të shefit të Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hotit për koalicionin PAN.
“Sipas Avdullah Hotit, koalicioni qeverisës është pajtuar që ka rënë borë a? Le t’i blen do dru, le të nxehet. Po bëj shaka, se kam respekt shumë për kolegët e mi. Avdullahi duhet me fol diçka se është në opozitë. Edhe është ba yll i opozitës”, tha Veseli.
Tutje, shkurt ai foli edhe për vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi.
“Na jemi me Amerikën, e në anën tjetër fqinji ynë po i hap rrugë bashkëpunimit me Rusinë”, ka thënë Veseli.