![Vendimi i kushtetueses i hap rrugë osmanit për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/03/0A023AD3-58CE-435C-B299-9BDA6D7B29BA.jpeg)
Presidentja Vjosa Osmani mund ta ketë pritur ndërrimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial për të vendosur mosdekretimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror. Një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të premten, mund t’ia ketë prishur ca plane pushtetit për të ndryshuar diçka në këtë drejtim. Osmani ka pritur tash e një vit. A do ta zhbllokojë tash procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit?
Shteti tash e një vit ka mbetur pa kryeprokuror. Presidentja Vjosa Osmani nuk do që ta dekretojë Blerim Isufajn në krye të institucionit më të lartë të ndjekjes në vend dhe këtë e ka thënë publikisht, por një vendim nuk e ka marrë ende.
E pakënaqur me gjendjen në sistemin prokurorial, Qeveria e përpiloi një ligj të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në qershor të vitit të kaluar u miratua në Kuvend. Ky ligj parashihte ndryshimin e përbërjes së KPK-së, por ai të premtën u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.
Ky vendim që nuk u prit mirë nga pushteti, mund t’i hapë rrugë një lëvizjeje nga Osmani, e cila dukej se po e priste këtë aktgjykim nga Kushtetuesja. Nga Presidenca nuk kanë folur treguar asnjëherë se pse nuk është marrë ende një vendim. Presidentja tani e ka parasysh se mosdekretimi i Isufajt do ta kthente procesin në pikën zero dhe se përbërja aktuale e KPK-së mund ta bëjë zgjedhjen e njëjtë dhe t’ia çojë sërish emrin e Isufajt për dekretim.
Osmani kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë nga ajo dekretimin e Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit, por e kishte lënë edhe më tutje të ngecur procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, pa marrë asnjë vendim.
“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.
Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Çka thotë aktgjykimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë të premten pasdite ligjin për Këshillin Prokurorial, i cili, sipas Qeverisë, do t’i hapte rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë.
Sipas aktgjykimit, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Pupullit, barazinë para ligjit e nenin për Këshillin Prokurorial.
Duke komentuar vendimin ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se Kurti e Osmani kishin një skenar për ndërhyrje në prokurori.
“Dështon tendenca për zgjedhje të Kryeprokurorit nga koalicioni Kurti-Osmani. Ligji për Këshillin Prokurorial shpallet kundërkushtetues. Vonesa e emërimit të Kryeprokurorit ishte pjesë e skenarit të Kurtit dhe Osmanit për ndërhyrje në prokurori” shkroi ai
Ligji i rrëzuar përcaktonte që gjashtë prej nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritej mandati. Tre, të cilët do të mbeteshin aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidheshin me një short, siç thoshte ministrja Albulena Haxhiu. Për plotësimin e përbërjes së KPK, do të organizoheshin zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror.
Instanca më e lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë ka pasur vërejtje serioze sidomos në këtë pikë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo do të kishte pasoja edhe në rendin demokratik e sundimin e ligjit në vend.
Kushtetuesja ka përmendur opinionin e Komisionit të Venecias, duke thënë se “përfundimi i parakohshëm i mandateve duhet të jetë gjithmonë i lidhur me një shkelje të identifikueshme ose dështim në kryerjen e detyrës të anëtarit përkatës dhe të ndjek bazën, përfshirë procedurën kushtetuese/ligjore për shkarkim apo përfundim të mandatit sipas së cilës janë fituar” sepse në të kundërtën, “ndërprerja e mandateve të institucioneve kushtetuese, do të mund të varej në vazhdimësi nga preferencat e pushtetit ekzekutiv dhe/ose legjislativ”.
“Aktgjykimi përfundimisht thekson që ndërprerja e mandateve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial sipas Ligjit të kontestuar, nuk mund të shërbejë as si arsye bindëse për një “përmirësim të dukshëm të sistemit” e që mund t’i shërbente një qëllimi legjitim e proporcional, mbi bazën e të cilit do të mund të autorizohej përjashtimisht ndërprerja e mandateve të një institucioni të pavarur kushtetues, duke krijuar kështu një precedent me pasoja në sigurinë dhe pavarësinë e ushtrimit të funksionit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe rrjedhimisht, edhe për rendin demokratik dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në paputhshmëri me Kushtetutën u shpall edhe mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së KPK-së, sipas ligjit. Ajo e ndërvarte vendimmarrjen e KPK-së me vullnetin politik të shumicës së deputetëve në Kuvend, pasi ata përcaktohej se do t’i zgjidhnin me shumicë të thjeshtë anëtarët jo-prokurorë të këtij institucioni.
“Gjykata thekson që një zgjidhje e tillë, nuk është as në përputhje me Opinionet e Komisionit të Venecias, as me pavarësinë kushtetuese të garantuar për Këshillin sipas paragrafit 1 të nenit 110 të Kushtetutës, as me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet demokratik. Për pasojë, Aktgjykimi sqaron që mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në fund, Gjykata vlerësoi se “marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”.