
Kombëtarja e Kosovës ka arkëtuar një pikë të artë në shtëpi ndaj Zvicrës.
“Dardanët” arritën ta barazonin rezultatin në sekondat e fundit të kohës shtesë falë Vedat Muriqit, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 2:2.
Zvicra nisi të krijojë nga minuta e parë duke pasur dy raste të shpejta mirëpo që Aro Muric arriti t’i bllokojë.
Mirëpo, nga një gabim i Fidan Alitit, Zvicra ia doli të kalojë në epërsi përmes një goditje vollej të Freuler që u asistua nga Fernandes (14’).
Pas kësaj, Kosova kishte raste shënimi siç ishte me Vedat Muriqin dhe Bernard Berishën, ky i fundit dështoi nga dy metra distancë
Sidoqoftë, pavarësisht rasteve asnjëra nga kombëtaret nuk arritën të gjenin golin, andaj epilogu i kësaj pjese rezultoi të jetë 0:1.
Kosova e nisi shumë më mirë pjesën e dytë dhe ia dolën ta barazojnë rezultatin me anë të Vedat Muriqit, që realizoi me kokë pas një harkimi të Milot Rashicës (65’).
Mirëpo, Zvicra në fund arriti ta kthejë epërsinë përmes një autogoli të Amir Rrahmanit, i cili në përpjekje për ta larguar e dërgoi brenda rrjetës së Muric (79’).
Kur askush nuk e priste, Kosova krijoi një aksion të shpejtë me Vedat Muriqin që realizoi nga afërsia për të mbajtur gjallë ëndrrën për Kampionat Evropian pas një asistimi perfekt të Meriton Korenicës (90+4′).
Pas këtij barazimi, “Dardanët” mbesin në garë për kualifikim duke u renditur në pozitën e pestë me katër pikë, pesë më pak se Rumania që zë vendin e dytë.
Ndërsa, Zvicra është lider i vetëm në grupin I me 11 pikë të mbledhura pas pesë xhirove.
Tre ditë më vonë, Kosova do ta zhvillojë sfidën direkt me Rumaninë derisa Zvicra përballet me Andorrën.