
Një shtetas i huaj është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të shtunën e 12 marsit dhe ka vdekur, derisa Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si vdekje të dyshimtë.
“Viktima mashkull shtetas i huaj është dërguar në QKUK, ku më pas ka vdekur. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkaq në fshatin Leban të Prishtinës, një person ka raportuar se dy vajzat e tij të mitura kanë dalë nga shtëpia dhe nuk janë lajmëruar më.
Sipas tij, vajzat ishin larguar nga shtëpia në fshatin Lebanë rreth orës 14:15.
“Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu në kryeqytet janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit janë përfshirë në një rrahje mes vete.
Ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në Gjakovë një person ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar në një fabrikë është lënduar nga një makinë.
“Viktima ka marrë lëndime në këmbë dhe është dërguar për tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar policia.