
Gjykata Themelore e Prizrenit – dega në Suharekë, Departamenti i Përgjithshëm Penal, me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj dy shoferëve të autobusëve të kompanisë “Sharr Travel”, me iniciale SH.S. , M.M. nga Vushtrria dhe B.B. nga fshati Hajvali Komuna e Prishtinës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Ata dyshohen për rastin e vdekjes së dy të rinjve gjatë ditës së shtunë në autostradën “Ibrahim Rugova”.
“Gjykata, duke u bazuar në neni 187 parg, 1 nen parg. 1.2 pika 1.2.3 ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit të punësuar si shoferë të K.T. ‘Sharr Travel’ në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ ku nga veprimet e të pandehurve si përgjegjës të vozitësve të autobusëve dhe nga pakujdesia e tyre kanë pësuar dy persona me fatalitet, duke u ndaluar gjatë mesit të natës në vendin ku ka qenë e ndaluar ndalimi në urë të autostradës ‘Ibrahim Rugova’ në afërsi të fshatit Sllapuzhan, Komuna e Suharekës duke i ndalur në vendin ku ndalohet ndalja në urë, e kështu duke shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurisë me ç’rast kanë pësuar dy persona me humbje të jetës duke tentuar të kalojnë në trasenë tjetër të rrugës për t’i shkëmbyer telefonat”, thuhet në komunikatë, përcjell lajmi.net.
Masa e paraburgimit, dy të pandehurve do t’u llogaritet prej datës së arrestimit 29.06.2019 në ora 05:00 min., dhe do të zgjas deri me 29.07.2019.