
Në orët e para të mesnatës në autostradën “Ibrahim Rugova” dy të rinj, njëri i moshës 26 vjeçare e tjetri 20 kanë gjetur vdekjen.
Sipas policisë dy viktimat kanë qenë konduktorë të një kompanie kosovare e cila ofron shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Deri te ngjarja ka ardhur pasi dy viktimat pa menduar për pasojat tragjike kanë ndaluar në autostradë me qëllim të shkëmbimit të gjërave nga njëri autobus në tjetrin, çka ka rezultuar me fatalitet.
Ngjarja ka ndodhur në segmentin Suharekë-Duhël, saktësisht mbi urën me nr. 11 në autostradë me ç’rast të rinjtë duke kaluar nga një trase në trasenë tjetër të autostradës kanë rënë në humnerë, ku edhe kanë gjetur vdekjen.
Sipas policisë lidhur me këtë rast tre shoferë të autobusëve të cilët janë ndalur në autostradë në kundërshtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë ndaluar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe në veçanti në autostradë të respektojnë rregullat ligjore në mënyre që raste të tilla të mos përsëriten.