Familjarët e gjashtë gylenistëve të arrestuar të enjten në Kosovë kanë takuar sot kryeministrin e vendit Ramush Haradinajn, para objektit të Qeverisë së Kosovës, shkruan Insajderi.
Jasemin Karabina, bashkëshortja e gylenistit të arrestuar, Yusuf Karabina, ka adresuar shqetësimin e saj para kryeministrit të vendit.
Ajo ka thënë se avokatët e angazhuar në Turqi nuk po mund t’i kontaktojnë qe dy ditë, duke shtuar se nuk kanë asnjë informatë zyrtare nëse familjarët e tyre gjenden në Turqi.
“Ne sot në mëngjes kemi pa disa video, sipas të cilave pretendohet se bashkëshortët tanë janë deportuar nga Kosova. Ne kemi kërkuar video incizimet dhe ajo e cila është provuar me video incizime, ne i besojmë dhe mund të provohet se ata kanë hyrë në Aeroportin e Prishtinës”.
“Avokatët tonë të cilët i kemi angazhuar në Turqi, tash e dy ditë nuk kemi pasur mundësi t’i kontaktojmë, nuk po lejohet takimi me ta, dhe nuk kemi asnjë informatë zyrtare që ata gjenden në Turqi, dhe as avokatët nuk mund të sigurojnë një provë të tillë. Edhe nga kryeministri edhe nga organet tjera të vendit presim që të na ofrohen prova konkrete me të cilat mund të shohim me sytë tanë, të dëgjojmë me veshët tanë se ata me të vërtetë janë deportuar nga Aeroporti i Prishtinës dhe gjenden në Turqi”, tha Karabina gjatë takimit të saj me kryeministrin e vendit.
Ndryshe gjatë orëve të hershme të mëngjesit Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjashtë gylenistët janë deportuar në Turqi të enjten në ora 11 e 05 minuta.
Familjarët e gylenistëve kanë qëndruar për dy ditë në Aeroportin “Adem Jashari” duke pretenduar se ata gjenden aty.